TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Dhjetor 2024, 07:45

PD zbret sot në terren për mosbindjen civile, plani i Berishës për 'paralizimin' e Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

PD zbret sot në terren për mosbindjen civile, plani i Berishës

Ndryshe nga herët e tjera, në krye të protestës pritet të jetë edhe kreu i demokratëve Sali Berisha

Partia Demokratike ditën e sotme do të zhvillojë mosbindjen civile të rradhës duke shkaktuar kaos në Tiranë. 

Ndryshe nga herët e tjera, në krye të protestës pritet të jetë edhe kreu i demokratëve Sali Berisha, i cili mungonte prej rreth një viti pasi ishte në arrest shtëpie në lidhje me dosjen “Partizani”. Në thirrjet e tij ditë përpara, Berisha iu kërkoi qytetarëve të bashkohen në Tiranë, për të marrë pjesë në aktin më të madh të mosbindjes civile. 

Nga tubimi i demokratëve, parashikohet që të bllokohen kryqëzime si Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga Pallati me Shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.

Mësohet se policia u ka kthyer përgjigje opozitës duke u shprehur se garanton çdo tubim paqësor por jo bllokimin e rrugëve duke ju kujtuar organizatorëve se do të mbajnë përgjegjësi penale për çdo bllokim.

Policia do të përdorë forcat e rendit dhe ato të reparteve speciale të Shqiponjave dhe forcat e sigurisë kombëtare si dhe autobotet me ujë për të shpërndarë protestuesit në rast bllokimi.

Opozita ka kërkuar tre orë leje bllokuese, por përgjigjja e policisë ka qenë negative duke thënë se nuk do të lejojë bllokimin e rrugëve.

Për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në akset rrugore që do bllokohen, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës ka njoftuar Partinë Demokratike, se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat.

Protesta e fundit e opozitës ishte më 26 Nëntor, zgjati tre orë dhe paralizoi disa nga nyjet kryesore lidhëse në kryeqytet.

Lini një Përgjigje