
Demokratët zbresin sërish në shesh për largimin e kryeministrit...
K nisur protesta e PD para Kryeministrisë. Edhe pse ishte lajmëruar në orën 19.00, tubimi i 7-të kombëtar ka nisur pas afro 40 minutash vonesë. Pak më parë doli nga selia kreu i PD Sali Berisha, teksa qindra qytetarë janë mbledhur në shesh duke kërkuar largimin e kryeminsitrit Rama.
Ndryshe nga protestat e fundit, të cilat u karakterizuan nga lëvizje në formë marshimi nëpër rrugët e kryeqytetit dhe bllokim trafiku, këtë herë Partia Demokratike ka vendosur t’i rikthehet formatit tradicional me fjalime përpara Kryeministrisë.
Protesta u hap nga Besart Xhafferi, kru i Forumit Rinor. Deputeti akuzoi qeverinë se e ka kthyer vendin në pronë private dhe se fondet publike po keqpërdoren. “Paratë tuaja nuk shkojnë për shkolla më të mira, për spitale ku gjen shërim, as për rrugë e siguri publike. Shkojnë në xhepat e një grushti personash përmes tenderave sekretë dhe koncesioneve fantazmë”, u shpreh ai.
Në vijim, Xhaferri theksoi se problemi nuk është varfëria, por korrupsioni. “Shqipëria nuk është e varfër, është e vjedhur. Nuk mund t’ia lëmë atdheun tonë atyre që e trajtojnë si plaçkë tregu”, tha ai.
Në terren janë marrë masa të shtuara sigurie nga Policia e Tiranës, e cila ka angazhuar rreth 1500 efektivë për mbarëvajtjen e protestës. Zona përreth Kryeministrisë është rrethuar me gardhe metalike, ndërsa qarkullimi në bulevard është bllokuar. Ndërkohë, është vendosur edhe podiumi nga ku pritet të mbahen fjalimet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndodhet vetë në terren, ku po ndjek nga afër zbatimin e planit të masave dhe po koordinon strukturat policore për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.
Policia u ka bërë thirrje organizatorëve që të distancohen nga çdo akt dhune dhe të bashkëpunojnë për zhvillimin paqësor të protestës.
Në protestën e gjashtë kombëtare, të zhvilluar pak ditë më parë, tubimi nisi para Kryeministrisë dhe më pas u shndërrua në një marshim në disa akse kryesore të Tiranës, duke shkaktuar bllokim të trafikut për disa orë. Gjatë asaj proteste u shënuan edhe incidente, përfshirë përplasje me policinë dhe përdorim të gazit lotsjellës.
Mbetet për t’u parë nëse protesta e sotme do të zhvillohet pa incidente dhe nëse rikthimi te formati me fjalime do të sjellë një tjetër dinamikë në aksionin opozitar.
Lini një Përgjigje