TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Prill 2026, 15:37

Veliaj reagon për padinë ndaj ‘Nesti Angonit’ dhe ‘Nasta Pëllumbit’: SPAK veproi me dy standarde

Shkruar nga Pamfleti
Veliaj reagon për padinë ndaj ‘Nesti Angonit’ dhe
Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për kallëzimin që ka bërë në GJKKO, për dy ‘kallëzuesit’ inekzistentë ‘Nesti Angoni’ dhe ‘Nasta Pëllumbi’.

Ai thekson se procedimi penal ndaj tij është nisur mbi bazën e një dokumenti të firmosur nga një person që, sipas tij, nuk ekziston.

Procedimi penal nr. 27/2024 është nisur mbi bazën e një dokumenti të nënshkruar nga një person i vetëquajtur ‘Nesti Angoni’, i cili, sipas verifikimeve zyrtare, nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile”, deklaron ai.

Në kallëzimin e tij, Veliaj argumenton se rasti nuk përbën një kallëzim anonim, por një rast më të rëndë. “Nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim, por me një simulim të një kallëzuesi real, të materializuar me emër dhe nënshkrim, me qëllim krijimin e një besueshmërie artificiale përpara organit të akuzës”, shprehet ai.

Sipas tij, dokumenti në fjalë mund të përbëjë shkelje të rëndë ligjore. “Kjo përbën jo vetëm falsifikim, por edhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në mekanizmin e nisjes së ndjekjes penale, pasi mbi këtë bazë janë ndërmarrë veprime hetimore me pasoja konkrete juridike”, thuhet në reagim.

Veliaj ngre gjithashtu pikëpyetje mbi respektimin e standardeve nga SPAK. “Vetëm kallëzimet që përmbushin kriteret formale dhe procedurale mund të regjistrohen si të tilla. Megjithatë, në këtë rast është vepruar në kundërshtim me këtë standard”, thekson ai, duke shtuar: “Pse vetëm në këtë rast është devijuar nga standardi që vetë SPAK ka shpallur?”, shkruan ai.

Ai përmend edhe një rast të dytë me një identitet tjetër të pa verifikueshëm. “Evidentohet gjithashtu ekzistenca e një materiali të dytë të ngjashëm, të lidhur me një tjetër identitet të pa verifikueshëm, ‘Nasta Pëllumbi’”, deklaron Veliaj, duke shtuar se kjo “ngre dyshime të forta për një burim të përbashkët, një autor të vetëm që përdor identitete të ndryshme ose një mekanizëm të strukturuar për krijimin e kallëzimeve artificiale”.

Në reagimin e tij, ai e cilëson çështjen edhe si problem institucional. “Përdorimi i një identiteti të rremë për të vënë në lëvizje ndjekjen penale ndaj një funksionari të zgjedhur prodhon pasoja që shkojnë përtej individit”, shprehet ai.

Në përfundim, Veliaj kërkon hetim të plotë të rastit. “Kërkova regjistrimin e një procedimi penal për falsifikim dokumentesh, identifikimin e autorit real të dokumentit dhe hetimin e plotë të rrethanave që çuan në nisjen e procedimit penal ndaj meje”, përfundon ai.

 

veliaj spak

1 Komente

  1. A
    A. B.

    Pavarësisht kush është Velipojë, ka plotësisht të drejtë . Pse SPAK u vu në lëvizje menjëherë nga një noname i mirëfilltë, jo njeri pa emër, por emër pa njeri, ndërkohë që nuk ka zot që e shkund për paditë me emra. Sa bukur i shkon për shat ish kryetarit TË SPAKU, hetuesit komunist

    Lini një Përgjigje