TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Mars 2024, 18:00

“Pazari” me PS-në, kthehet në “mollë sherri” mes grupit të Bashës dhe Rithemelimit!

Shkruar nga Pamfleti

“Pazari” me PS-në, kthehet në “mollë

Në një kohë kur grupimet e PD-së ranë disi në qetësi dhe secila degë po merrte drejtimin e saj, një konflikt i ri lindi mes palëve, ai i “pazarit” me PS-në, që po kthehet në një “mollë sherri” mes tyre.  

“Pazari” me PS-në, ka qenë kryefjala e kësaj jave dhe duket se dy grupimet e PD-së, ajo zyrtare dhe Rithemelimi po “luftojnë” me njëri-tjetrin për ta arritur një marrëveshje me Ramën.

Të ndodhur në këto kushte, të dyja palët e PD-së duket se po tentojnë të sabotojnë njëra-tjetrën, duke shkëmbyer akuza të ndërsjellat për pazare të fshehta me PS-në.

Më i shqetësuar u duk krahu i Lulzim Bashës, i cili prej javësh i ishte vetë ofruar PS-së për një marrëveshje për Reformën Zgjedhore. Me nxitim, Enkeljed Alibeja doli ditën e sotme dhe i kërkonte maxhorancës që të sqarojë nëse ka diskutime me Rithemelimin.

Lajmi se takimi mes Bardhit e Çupit ka qenë pozitiv dhe se disa nga kërkesat e Rithemelimit mund të merren parasysh për t’i dhënë fund një herë e mirë kaosit në Kuvend, bëri që grupi i Bashës të shpërthej në akuza ndaj Ramës dhe Berishës. Sipas tyre, ky do të jetë pazari i radhës në kurriz të shqiptarëve.

PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimmarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha”, shkroi Alibeaj në Facebook.

Nga ana tjetër, Rithemelimi ka akuzuar PD-në e Bashës, se janë ata që kanë bërë pazar me Ramën për të mbajtur peng Reformën Zgjedhore. Ishte deputeti, Sajmir Korreshi i cili nxori në rrjetin e tij social “Facebook” një foto të Enkelejd Alibeajt në një nga kafet e Tiranës, ku sipas tij ishte takuar me një përfaqësues të PS-së për të bërë pazare.

Më tej ai shtoi se grupi i Bashës është zemëruar, për shkak se grupi i Rithemelimit po i heq atyre mundësinë për t’u bërë “zar” të Ramës.

Pazaret bëhen kafeve e restoranteve, duke dhënë besën që do mbajmë peng bashkërisht reformën zgjedhore, duke i shërbyer si zar Edi Ramës.

Nëse nga dialogu në institucione sheh se po humb rolin e zarit që mban peng opozitën, shqetësohesh dhe s’di çfarë flet, quan “pazar” kontrollin parlamentar ndaj Edi Ramës, quan “pazar” heqjen e mundësisë për bllokimin e reformës zgjedhore”, ka shkruar Koreshi në “Facebook”.

Në një kohë kur grupimet e PD-së ranë disi në qetësi dhe secila palë po merrte drejtimin e saj, një konflikt i ri lindi mes palëve, ai i “pazarit” me PS-në, që po kthehet në një “mollë sherri” mes tyre.  

Por në këtë garë “pazaresh”, Rithemelimi duket se ka avancuar më shumë dhe pakti maxhorancë-opozitë mund të arrihet shumë shpejt. Madje flitet që seanca më e afërt plenare, ajo e 21 marsit ka mundësi të zhvillohet normalisht./Pamfleti

basha berisha rama

Lini një Përgjigje