
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur për bashkimin e demokratëve dhe arsyen se përse ajo nuk u bë pjesë e mbledhjes së Këshillit Kombëtar ku u votuan dhe ndryshimet statutore, sipas të cilave edhe ajo vetë do të bëhej pjesë e kryesisë.
Tabaku tha se bashkimi i PD-së duhet të nisë dhe të vijojë nga baza, por se ky bashkim nuk bëhet dot vetë me pesë persona.
Gjithashtu deputetja theksoi se nuk ka patur asnjë ofertë për të.
“Çdo gjë që është diskutuar me mua ka qenë publike, oferta jo publike s’kam dëgjuar. Kam parë ndryshime statutore që janë bërë dhe kolegët e grupit që kanë marrë pozicion. PD duhet të vazhdoj të bashkohet edhe më shumë. Bashkimi i PD nuk është se u bashkuam ne 5 njerëz politik, por në bazë me gjithë demokratët. Nuk është një proces i lehtë, janë hedhur shumë akuza, shumë sulme, besoj se duhet t’i japim kohë këtij procesi”, tha Tabaku.
Sa i takon negociatave mes Nikollës dhe krerëve të grupeve parlamentare për kthimin në normalitet të kuvendit, Tabaku thotë se nuk ka dijeni.
Ajo shton se Nikolla duhet t’i kishte bërë me kohë këto negociata dhe thekson se kërkesat e opozitës duhet të dëgjohen.
“Nuk kam pasur dijeni nëse ka pasur apo jo diskutime, por më duket diçka shumë normale përderisa kërkesat e opozitës kanë qenë publike, përderisa është duke u protestuar prej gati 5 muajsh. Do kishte qenë e udhës që Nikolla ta kishte bërë këtë me kohë, shpresoj shumë që kërkesat e drejta të opozitës të dëgjohen”, vijon Tabaku.
Sipas deputetes, duhet të bëhet gjithçka për të kthyer normalitetin në Kuvend.
“Mungesa e një debati është duke krijuar këtë situatë. Shpresoj ti jepet zgjidhje kësaj situate. Parlamenti me thënë të drejtën nuk është arena e debatit që duhej të ishte, e ka humbi vlerën prej mënyrës si është sjell mazhoranca vitet e fundit, por kjo s’do të thotë që s’duhet të vazhdojmë përfaqësimin tonë. Duhet të bëjmë të pamundurën për t’iu rikthyer debatit, por me kërkesat e opozitës”, tha Tabaku në një intervistë për Report TV.
Lini një Përgjigje