Teksa palët janë duke negociuar, amerikanët kanë kërkuar të informohen mbi atë se çfarë po ndodh...
Amerikanët duket se janë vënë në lëvizje pas nisjes së negociatave mes grupit të Sali Berishës dhe mazhorancës, për të kthyer normalitetin në Kuvend.
Socialistët kanë bërë një hap pas dhe duket se do të lëshojnë komisionet hetimore, por ka zëra se po bëhet pazar dhe për gjëra të tjera, përfshirë reformën zgjedhore, amnistinë penale dhe reformën në drejtësi. PS ka në sirtar një projekt për të ngritur një komision që do të monitorojë reformën në drejtësi dhe nëse palët bien dakord, mund të vihet nën kontroll SPAK.
Por teksa palët janë duke negociuar, amerikanët kanë kërkuar të informohen mbi atë se çfarë po ndodh. Sot ka shkuar në Kuvend i ngarkuari me punë David Wisner, i cili ka takuar Lindita Nikollën. Ai ka kërkuar një Parlament funksional, teksa duket se e ka bërë të qartë se për amerikanët prioritet është reforma në drejtësi dhe lufta antikorrupsion. Me pak fjalë, drejtësia për ta është e panegociueshme.
“I Ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla për të theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj në zbatimin e ligjit dhe kundër korrupsionit, teksa vendi ecën përpara drejt integrimit Euroatlantik. Një parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive për njerëzit, është thelbësor për përmbushjen e këtyre synimeve”, njofton ambasada.
Detaje lidhur me takimin ka dhënë dhe vetë Kuvendi. Përmes një njoftimi për mediat bëhet me dije se në foks të bisedës ka qenë edhe reforma në drejtësi.
“Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua sot me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, z. David Wisner. Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave. Kryetarja Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Gjithashtu znj. Nikolla e informoi z. Wisner mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend”, njoftoi Kuvendi.
Sipas Kuvendit, Wisner vuri në dukje se SHBA dhe partnerët e Shqipërisë do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin euro-atlantik si edhe vlerësojnë angazhimin e institucioneve shqiptare në përparimin e vendit. Diplomati e ka bërë të qartë se Parlamenti është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje