Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion mbi 5.4 milionë euro, ose rreth 520 milionë lekë, për blerjen e një prone në Londër që do të shërbejë si seli e re e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë, pasi kryeministri Edi Rama pranoi se Shqipëria është dështim në shërbimin diplomatik.
“Ministria e Jashtme është si Televizioni Shqiptar, është një tjetër dështim i madh i yni. E ua thashë, e kam thënë dhe po ua them se nuk është një gjë që nuk e dimë, nuk është një institucion në funksion të gjithë këtyre sfidave. Nuk është. Pse? Sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që u bë si reformë, nuk ishte reformë, ishte “tualet”, domethënë makijazh. Dhe ne nuk e kemi një shërbim diplomatik sot në lartësinë e sfidave të mëdha që ka bota dhe Shqipëria. Kështu që ligji duhet të jetë i tillë që të hapë rrugën për reformë, të hapë rrugën për të futur ajrin e pastër, për të futur njerëz të rinj."-u shpreh Rama.
Procesi do të realizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën në Londër, të cilat do të përzgjedhin ndërtesën dhe truallin më të përshtatshëm për veprimtarinë diplomatike dhe konsullore. Pronat që do të shqyrtohen duhet të jenë të sigurta, pa probleme ligjore dhe të ofrojnë hapësira të mjaftueshme për funksionimin e institucionit diplomatik.
Vlerësimi i ofertave do të kryhet nga një Komision i Posaçëm, ku përfshihen përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar dhe Avokatura e Shtetit. Ky komision do të shqyrtojë propozimet, do të ndjekë negociatat dhe do të përzgjedhë ofertën fituese.
Pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, Ambasada do të realizojë pagesat dhe regjistrimin e pronës sipas ligjit britanik, ndërsa fondet do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Lini një Përgjigje