
Pa kaluar ende 24 orë nga ajo intervistë, Rama priti në një takim Ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matt Whitaker...
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë të publikuar dje nga “Politico”, deklaroi se Shqipëria është gati të vërë në dispozicion hapësirën ajrore dhe aeroportet e saj, që SHBA t’i përdorë në sulmet ndaj Iranit, por me kushtin që SHBA të sigurojë mbrojtje ajrore për vendin tonë.
Ndërkohë ditën e sotme, pa kaluar ende 24 orë nga ajo intervistë, Rama priti në një takim Ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matt Whitaker. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, Rama tha se takimi u fokusua te partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe te forcimi i këtyre marrëdhënieve.
Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, vizita e Whitaker lë të hapur mundësinë se SHBA-ja mund të ketë shprehur interes për propozimin e Ramës.
“Në Kryeministri, me Ambasadorin e SHBA në NATO, Mattheë Whitaker, folëm për lidhjen e ngushtë mes vendeve tona, partneritetin strategjik mes shteteve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët, si edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës”, shkruan Rama.
Megjithatë edhe pse nuk ka asnjë deklaratë për ‘derën’ që Rama i hapi SHBA-së, me shumë gjasa ky shans nuk do të mbetet jashtë vëmendjes amerikane, duke pasur parasysh faktin se të gjitha vendet e BE dhe Britania i kanë mbyllur bazat presidentit Donald Trump.
Ajo që hedh më tej dyshime është fakti se Ambasadori i SHBA-së në NATO është takuar edhe me Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, me të cilin kanë vizituar Bazën Ajrore të Kuçovës, e rinovuar përmes fondeve të NATO-s. Në njoftimin e shpërndarë nga ambasada flitet për shndërrimin e Shqipërisë në një nyje logjistike të NATO-s në rajon.
“Duke fluturuar mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, e rinovuar përmes fondeve të NATO-s, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, diskutuan aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon përmes investimeve në Korridorin VIII, si dhe mënyrat se si Shqipëria mund ta çojë sigurinë rajonale në nivele më të larta përmes rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes”, njofton ambasada amerikane.
Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet në Lindjen e Mesme, me SHBA dhe Iranin që pritet të takohen sot në Islamabad. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, mbase shumë shpejtë mund të dalë në dritë nëse propozimi i Ramës është diskutuar gjatë takimit të sotëm.
Lini një Përgjigje