TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Prill 2026, 15:54

Spartak Braho: Rama e Berisha kanë pakt të heshtur, shikoni lejet që merr Shkëlzeni

Shkruar nga Pamfleti
Spartak Braho: Rama e Berisha kanë pakt të heshtur, shikoni lejet
Spartak Braho

“Edi Rama dhe Sali Berisha kanë një marrëveshje mes tyre. Marrëveshja është mënyrë të kuptuari, që unë do bëj këtu lëshime dhe t’i do bësh këtu lëshime”. Kështu u shpreh ish-deputeti socialist Spartak Braho, duke komentuar situatën politike në vend, ndërsa shprehet se Edi Rama nuk mund të rrëzohet me protesta, pasi ato nuk kanë asnjë objektiv.

Në Report Tv, Braho u shpreh se mendon që mes Kryeministrit Rama dhe Kreut të PD-së, Berisha, ka një pakt të heshtur, ku secili ruan pozicionet, ndërsa bëhen lëshime reciproke. Në këtë kuadër, Braho shprehet se Shkëlzen Berisha, djali i ish-Kryeministrit, po merr leje ndërtimi sikur të kishte babain në qeveri dhe jo në opozitë.

“Ai merr leje ndërtimi njësoj sikur ka babanë në pushtet në fuqi. Marrëveshje për të mbijetuar dhe fituar financiarisht. Populli i di këto të tëra, marrëveshjet do detyrohet të bëjnë për Kodin e Ri zgjedhor, do kenë lëshime për sistemin zgjedhor”, thotë Braho.

Për ish-deputetin socialist, PD nuk mund të vijë kurrë në pushtet me Sali Berishën në krye.

“PD nuk fiton zgjedhje me Berishën, një kandidat si ai i Bullgarisë dhe Hungarisë ende nuk kanë lindur në Shqipëri. Për ca është më i votuari? Për tu bërë kryetar partie. Është iluzion ajo që i kanë dalë disa njerëz nga rreshti, si Alimehmeti apo Salianji, por xhirojnë kot. Që Salianji të kandidojë duhet të marrë miratimin e PD, ndërkohë që ai figuron i përjashtuar”, thekson Braho.

Ndërkohë, ish-deputeti socialist komenton edhe situatën në PS, duke theksuar se Erion Braçe është i vetmi socialist që mund të sjellë rinovim në PS.

Kritikat e Elisa Spiropalit, ish-ministres së Jashtme, Braho i konsideron si një “e revoltuar e kohës”.

“Spiropali është një e revoltuar e kohës. E njoh që kur ka qenë me “Mjaft”, madje në 2008 kur LSI dhe disa parti që u futën në grevë, ajo erdhi me dëshirë dhe firmosi një kërkesë për Kushtetuesen për të prishur atë vendim. U bë pjesë e PS, Spiropali, Veliaj. Rama i joshi, i tërhoqi. Është vetëm një zë kaq.

E shikoj me keqardhje angazhimin e Braçes, ai është socialist tipik, që përfaqëson socialistët e vërtetë. Figurë interesante, shpresoj që ai të jetë tek zërat e fortë që mund të sjellin ndonjë ndryshim apo rinovim të udhëheqjes së PS. S’ka tjetër, ku janë figurat e vjetra të PS”, thotë Braho.

braho berisha rama

Lini një Përgjigje