Pas tensioneve dhe përplasjeve në sallën e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori sërish fjalën për të sqaruar situatën që çoi në debatet e ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.
Balla më herët u përplas me demokratët pasi ju drejtua deputetes Albana Vokshi: “0900, këtë numër kam për ty Albana”. Pas debateve seanca u ndërpre dhe nisi pak më parë po me tensione. Balla mori sërish fjalën për të sqaruar situatën.
“Zoti kryetar, unë fola para pak edhe u gjenda në kushtet e pamundësisë për të vazhduar fjalën. Grave dhe vajzave socialiste dhe demokrate dua t’ju uroj 8 marsin dhe t’i shpreh të gjithë respektin e plotë. Të gjithë atyre që, të gjithë atyre që e meritojnë këtë urim, sepse këtu kemi motra nga të dyja krahët e sallës.
Unë e mirëkuptoj shumë që kjo nuk ka të bëjë fare me çfarë u keqkuptua edhe njëherë në atë fjalë. Por, por do kisha dashur shumë dhe këtë ua thashë edhe vajzave dhe grave të grupit tim parlamentar, që të kishim reaguar një lloj kur u fye njëra prej kolegeve këtu, me një gjuhë diskriminuese dhe nuk kërkua as falje.
Tani, zoti kryetar, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pa e zgjatur, sepse e gjitha kjo situatë duhet të sqarohet në sekretariatin e votimeve dhe të etikës, padyshim, me të gjitha kërkesat, nga të gjitha palët.
Pashë që nuk u kërkua falje dhe nuk u, as nuk u mor mundimi të kërkohet falje për çfarë u tha në adresë edhe të familjarëve, edhe të familjes time dhe të motrave të mia të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të cilat i dua shumë. Dhe, megjithatë, kjo është një çështje që do sqarohet”, tha ai.
Balla theksoi se situata duhet të trajtohet institucionalisht nga strukturat përkatëse të Kuvendit, ndërsa debatet mes deputetëve vijuan me tone të forta edhe pas rifillimit të seancës.
Lini një Përgjigje