
Seanca parlamentare u përfshi sërish nga tensione pas rifillimit të saj. Pas ndërprerjes së mëparshme për shkak të debatit të ashpër në sallë, përplasjet mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës vijuan me tone edhe më të forta.
Më herët pati përplasje mes Taulant Ballës dhe deputetëve të PD, pasi teksa po fliste për propozimin e kryeministrit për anëtarësim në BE pa të drejtë vote ju drejtua opozitës: "Po thamë t’ju pyesim ju njëherë, se po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’ju merrnim në telefon e t’ju thonim: ore si mendoni ju për këtë. 0900, se për ty kam këtë numrin. Për ty, Albana. Padyshim”. Kjo solli tensione dhe debate, teksa u ndërpre seanca.
Me rinisjen e saj, Taulant Balla, tentoi të marrë fjalën për të sqaruar deklratën, por situata u tensionua menjëherë nga reagimet e deputetëve të opozitës.
Në një moment, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u afrua drejt Ballës në sallë dhe tentoi ta godasë, duke shkaktuar përplasje mes deputetëve. Situata u përshkallëzua për disa minuta, ndërsa në sallë pati zhurmë dhe akuza të ndërsjella.
Deputetë të tjerë ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e incidentit, ndërsa tensionet në Kuvend vijuan mes thirrjeve dhe debatit të fortë politik.
Lini një Përgjigje