Ky është pazari i dytë i pistë mes PS dhe PD. Fillimisht bashkuan votat për të bërë nga 3 mln lekë pagat e deputetëve, tani bashkojnë votat për të rritur pagat e kryebashkiakëve...
Kryebashkiakët e Ramës kanë filluar ta vjelin mirë buxhetin e shtetit. Duke përfituar nga VKM-ja për rritjen e pagave, kanë filluar të çojnë në stratosferë pagat e tyre dhe të atyre që u shkojnë pas.
Pak ditë më parë doli se kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako e ka rritur pagën e vet me 57 për qind, duke e çuar në 2.9 mln lekë. Të njëjtën gjë ka bërë dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, i cili e ka rritur me të njëtën shifër pagën, në një mbledhje të këshillit bashkiak të zhvilluar larg syrit të medias.
Subashi e bëri pagën e tij mujore 2.9 milionë lekë (të vjetra), ndërsa tre nënkryetarët, Adela Hysenaj, Andius Olldashi dhe Eleni Gjikondaj do të paguhen 2.2 milion lekë (të vjetra) në muaj. Një rritje kjo që shkon në mbi 80 për qind.
Ndërsa për administratorët e njësive vendore dhe për drejtorët e drejtorive, rritja do jetë 22 deri në 25 për qind. Ndërsa për vetë këshilltarët që “vulosën” vendimin rritja do të jetë 10%.
Nga kjo rritje u përjashtuan 817 punonjës të shërbimeve, si shoferë, magazinierë, sanitare, etj, të cilët do vazhdojnë të marrin pagë minimale.
Por, pjesë e pazarit është bërë edhe opozita. Këshilltarët e opozitës kanë ngritur kartonët dhe kanë votuar vendimet, kjo pasi përfitojnë edhe ata vetë, pasi do të ketë rritje pagash dhe për ta. Ky është pazari i dytë i pistë mes PS dhe PD. Fillimisht bashkuan votat për të bërë nga 3 mln lekë pagat e deputetëve, tani bashkojnë votat për të rritur pagat e kryebashkiakëve.
Problemi nuk është rritja e pagave, por babëzia. Si Sako ashtu dhe Subashi e kanë rritur pagën në kufirin më maksimal të lejuar nga VKM-ja./Pamfleti
Lini një Përgjigje