TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Prill 2025, 15:22

“Pas 11 majit opozita nuk do të jetë PD”, Majko: Në PS ka mosmarrëveshje, por jo konflikte

Shkruar nga Pamfleti

“Pas 11 majit opozita nuk do të jetë PD”, Majko: Në

Pandeli Majko, i cili garon në listat e hapura të PS-së në qarkun e Tiranës, shprehet se në këtë parti nuk ka konflikte, por mosmarrëveshje lidhur me ndarjen e zonave elektorale.

Në studion e News24, duke folur mbi zgjedhjet e 11 majit, Majko shprehet i bindur se PS do të sigurojë mandatin e 4 rradhazi të qeverisjes, ndërsa opozita nuk do të jetë PD, por Brukseli.

Majko theksoi se opozita shqiptare është ndarë në disa fraksione dhe nuk ka më unitet, siç kishte ndodhur në vitin 2005 kur u gjet një gjuhë e përbashkët mes grupeve opozitare. Ai shtoi se, në PS nuk ka konflikte të brendshme, përveç ndonjë mosmarrëveshjeje të mundshme në lidhje me ndarjen e zonave elektorale.

Ai theksoi se për herë të parë, vota për PS, veç integrimit evropian, mund të shihet si një votë që nuk është thjesht për të majtën.

“Jemi kaq afër procesit të integrimit evropian, sa shumë shpejt do ta kuptojmë që vota për PS është një votë për Shqipërinë, për integrimin dhe për të ardhmen tonë evropiane”, theksoi Majko, duke shtuar se lufta në Ukrainë ka ndryshuar rregullat e lojës dhe që Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian shumë shpejt, ndoshta brenda tre viteve.

Sa i përket opozitës, Majko u shpreh se ajo është angazhuar në një fushatë për të ruajtur atë që është e nevojshme për ta, konkretisht listën e sigurt të deputetëve. Sipas tij, opozita ka një qëndrim të qartë për drejtësinë, ku ka shpallur se do të shpërbëjë SPAK-un. “Është një doktrinë që ka përfaqësues një njeri që drejton opozitën, ‘të mitë janë të pafajshëm, të fajshëm janë ata të palës tjetër’,” tha ai.

Majko nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka kaluar në një fazë të re, ku sistemi i drejtësisë është më i pavarur dhe i pa kontrolluar nga PS, duke theksuar rëndësinë e barazisë përpara sistemit të drejtësisë.

Ai u shpreh se pas zgjedhjeve të 11 majit, opozita do të ndryshojë për qeverinë socialiste duke mos qenë PD, por “do të përbehet nga administrata e Brukselit”, që sipas tij do të fusë qeverinë në një “këmishë force” dhe do të ndryshojë qasjen ndaj procedurave dhe legjislacionit.

“Ne jemi më të goditurit nga SPAK sepse kemi qenë në pushtet për 12 vjet, por pavarësisht goditjeve, ne e ruajmë raportin me drejtësinë dhe qytetari e di që kjo është barazi para ligjit,” tha Majko.

Lini një Përgjigje