TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Dhjetor 2023, 18:49

Parashikimet ligjore, si Kushtetuesja “hodhi në erë” planet Rama-Meloni për refugjatët

Shkruar nga Pamfleti
Parashikimet ligjore, si Kushtetuesja “hodhi në erë”
Meme Rama-Meloni

Plani i Ramës dhe Melonit ishte që në qershor të ishte gati infrastruktura dhe të niste mbërritja e refugjatëve, por me shumë mundësi kjo s’ka për të ndodhur...

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një goditje të fortë sot paktit Rama-Meloni për refugjatët. Ashtu sikundër e paralajmëroi, PD ju drejtua gjykatës për paktin dhe Kushtetuesja vendosi të veprojë në limite.

Kryetarja e saj, doli në një konferencë për shtyp, duke njoftuar se kërkesa e bërë nga grupi Bardhi-Berisha ishte pranuar të shqyrtohej, pasi përmbushte të gjitha kriteret.

Por pranimi i kërkesës, fut në lojë nenin 52 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i cili detyron Kuvendin të bllokojë ratifikimin e marrëveshjeve në momentin që gjykata vendos shqyrtimin e tyre.  

1. Gjykata Kushtetuese shqyrton pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit.

2. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje për shqyrtimin e këtyre çështjeve vetëm me kërkesë të subjekteve të parashikuara në nenin 134, shkronjat “a”, “b”, “c”, e “ç”, të Kushtetutës. Gjykata mund të vihet në lëvizje edhe nga subjektet e parashikuara në shkronjat “d”, “dh” “e”, “ë” ‘f” “g” “gj”, “h” dhe “i”, të Kushtetutës, për çështje që lidhen me interesat e tyre.

3. Në rast se çështja ka kaluar në seancë plenare, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes. Shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda tre muajve nga data e paraqitjes së saj.

4. Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos papajtueshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare me Kushtetutën, ajo nuk mund të ratifikohet”, thuhet në nenin 52.

Pra, është pika 3 ajo e cila specifikon gjithçka. Pakti pezullohet dhe elementi tjetër është se Gjykata ka 3 muaj afat të mbarojë shqyrtimin. Kushtetuesja njoftoi se seanca e parë do të mbahet më datë 18 janar dhe ka afat deri në shkurt të vendosë. Në rastin më të mirë, nëse shqyrtimi mbyllet që më 18 janar (mund të ndodhë të shtyhet ose të ketë seancë tjetër), vetë Kushtetuesja ka 1 muaj kohë që të marrë vendimin, që do të thotë se së paku deri në shkurt pakti nuk zbatohet.

Plani i Ramës dhe Melonit ishte që në qershor të ishte gati infrastruktura dhe në të niste mbërritja e refugjatëve, por me shumë mundësi kjo s’ka për të ndodhur. Vendimi i Kushtetueses shtyn ardhjen e tyre, gjithmonë nëse në fund gjykata e pranon marrëveshjen, pasi nëse refuzohet, atëherë do të mbeten vetëm fotot e Ramës me Melonin.

Nuk është hera e parë që Kushtetuesja shqyrton marrëveshje me rëndësi kaq të madhe. Një ndër raste më të njohura është i paktit detar me Greqinë, arritur nga qeveria “Berisha”. Kushtetuesja e rrëzoi atë duke bllokuar shitjen e sovranitetit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje