
Ish kryeministrit, Sali Berisha duket se i ka mbetur ora te zgjedhjet e 14 majit. Në një kohë kur PS-së ka shprehur hapur se ka nisur punën për zgjedhjet e ardhshme, kreu i rithemelimit merret ende me të shkuarën.
Në një takim me simpatizantët dhe anëtarët e PD në Shkodër ai ka diskutuar për zgjedhjet e 14 majit, teksa ka vazhduar me pretendimet se ato ju vodhën nga mazhoranca.
Ai akuzoi qeverinë Rama dhe bandat e Pllum Gjokës, që sipas tij kanë intimiduar çdo votues që vinte në qendrën e votimit me qëllim deformimin e rezultatit zgjedhor.
“Ditën e zgjedhjeve, duke e ditur se bandat do ushtrojnë terror mbi qytetin, kam mbajtur gjatë gjithë ditës lidhje me përfaqësuesit tuaj, kam nisur bashkëpunëtorë të mi nga Tirana në Velipojë. Ditën e zgjedhjeve ne e kemi akt civiliteti, e kemi festival lirie, ne nuk dalim me pushkë, nuk dalim me çifte për t’u përleshur me të tjerët.
Ditën e zgjedhjeve, përfaqësuesi im nga Tirana, më raporton se Velipoja është në pushtim të plotë. Se bandat e Pëllumb Gjokës, çdo votues që vinte, ia kapnin kokën ia ofronin te veshi, e shoqëronin dhe kur dilte nga qendra, kur tentonin të filmoheshin, reagonin ndaj tyre. Të gjitha këto të organizuara nga qeveria. Mos mendoni se ka banditë të guximshëm, banditët bëhen të guximshëm kur kanë pushteti. Nuk ka më frikacakë se ata.
Të njëjtën gjë me bandat e tjera. Çfarë ndodhi? Autokolonë! Po pse e them pushtim unë? Sepse na është dashur shumë kohë të marrim videot e autokolonës. Na është dashur shumë kohë që të dilnin njerëz që mund të fotografonin banditët, vrasësit serialë që ishin liruar nga burgjet për të dhuruar qytetin e lirisë, për të dhuruar Shkodrën.
E them edhe njëherë, në gjithë bindjen time, e kisha shumë të konsoliduar se me Edi Ramën nuk ka zgjidhje. E kisha dhe vazhdoj të konsoliduar se ne si opozitë kemi problemet tona, por kur një kryeministër vendos të marrë votën me çdo kusht, askush nuk duhet të jetë naiv, askush nuk duhet të jetë iluziv se ai ka të gjitha mjetet për ta realizuar këtë.
Si u vendos sundimi i partisë së krimit në Shkodër? Ky sundim u vendos së pari duke liruar njerëzit nga burgjet dhe duke aktivizuar të gjitha bandat. Së dyti, u vendos duke hequr nga fleta e votimit, emrin e PD dhe drejtuesit të saj. Së treti, u vendos duke shpërndarë sasi të pakontrolluara parash për të blerë të drejtën e votës dhe për të blerë votën.
Së katërti, u vendos duke hequr të drejtën e komisionerëve në gjysmën e qendrave. Së pesti, u vendos duke përdorur patronazhistët dhe aktivistët si polici sekrete terroriste elektorale. Mund të numëroj një seri faktorësh. Së gjashti, u vendosur duke shpërndarë 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë pensionistëve në Shkodër dhe në mbarë vendin.
U vendos duke e shpallur Kodin Zgjedhor, ligjin që i jep garanci opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, një kinezëri nga Edi Rama. U vendos duke përdorur levat si partia e Tom Doshit, e cila brenda 2 vitesh, vetëm në sajë të thasëve me para, rritet me 240 për qind. Por një vend që nuk voton nuk mund të jetë kurrë një vend i lirë. Një vend ku grabiten votat, nuk mund të jetë kurrë një vend i lirë. Dhe dëshmia më flagrante e kësaj batërdie elektorale ishte 14 maji në Shkodër”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje