
Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese lidhur me paktin e emigrantëve.
Edhe pse marrëveshja do të miratohet nesër, Bardhi është shqetësuar se përse Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës.
Në reagimin e tij, Bardhi u ka bërë apel anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që t’i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës.
Bardhi shprehet se kjo është një shkelje flagrante, teksa të enjten pritet që PS të ta votojë këtë marrëveshje.
Reagimi i plotë i Gazmet Bardhit:
Në një akt të paprecedent, me heshtje dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, akt që shoqërohet me pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të saj nga Kuvendi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës është një proces formal, që nuk kërkon shqyrtimin në themel dhe as kohë për analizë të thelluar.
Duke shfrytëzuar mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimin serioz të një koordinimi mes tyre, Edi Rama urdhëroi Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit nga Parlamenti, duke e përfshirë në Rendin e Ditës të seancës së nesërme, datë 14 Dhjetor 2023.
Edhe pse është njoftuar zyrtarisht për përshpejtimin e procedurave në Kuvend, mosveprimi në kohë i Gjykatës
Kushtetuese për një çështje me natyrë urgjente, praktikisht asgjëson mundësinë e kontrollit kushtetuese mbi përmbajtjen e marrëveshjes, që detyrimisht shqyrtohet përpara ratifikimit
Ky përbën aktin më të shëmtuar të dhunimit flagrant të Kushtetutës nga vetë Gjykata Kushtetuese, si një tjetër provë e kontrollit të plotë të saj nga Edi Rama. Asgjësimi i mundësisë së kontrollit kushtetuese, si një e drejtë kushtetuese e deputetëve të opozitës, është atentat ndaj shtetit ligjor dhe rrënon besimin e publikut tek paanësia dhe pavarësia e Gjykatës Kushtetuese.
Duke shprehur mospajtimin me mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese dhe dhunimin flagrant të Kushtetutës prej saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike apelon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ti përmbahen betimit për t’ju nënshtruar vetëm Kushtetutes dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës. Ata duhet të heqin dorë mënjëherë nga bllokimi i shqyrtimit paraprak në kohë të kërkesës së deputetëve të opozitës, duke urdhëruar përpara ratifikimit të nesërm pezullimin e procedurës parlamentare.
Zbatimi i Kushtetutës duhet të jetë i vetmi udhërrëfyes i veprimtarisë së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe jo pengmarrja me projektligj apo premtimi korruptiv i Edi Ramës për rritje të shfrenuara të pagave të tyre, në këmbim të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe rolit që Gjykata Kushtetuese luan në një shoqëri demokratike.
Lini një Përgjigje