
Ish-nënkryetari i PD, Astrit Patozi, nuk ka pritshmëri të mëdha nga PD zyrtare, e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
I ftuar në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Patozi tha se këtë grupim e sheh më të dobët sesa ai i Sali Berishës dhe të pafuqishëm për t’u përballur në zgjedhje.
“E shoh si pafuqi politike për të mos dalë me 61 kandidatë. Berisha ka qenë shumë më i qartë dhe luftarak. I vuri para faktit të kryer, ndërsa këta ishin të papërgatitur dhe të pafuqishëm. U mungonte gjithçka pothuajse. Nuk kishin as lidership, nuk kishin as ide, as vizion, nuk kishin njerëz në dispozicion. PD sot, për fat të keq, ka përfunduar që ka një logo pa njerëz dhe ka ca njerëz pa logo”, tha Patozi.
Bindja Demokratike dhe LZHK nuk u përfaqësuan me kandidatë për kryetarë bashkish as në Tiranë, por Patozi tha se do të mbeshtesin një nga kandidatët e opozitës, duke ia lënë në dorë mbështetësve të tyre të votojnë njërin prej tyre, pasi më shumë rëndësi për Bindjen dhe LZHK-në ka rezultati për këshillat bashkiakë.
Lini një Përgjigje