
Ish nënkryetari i PD, Astrit Patozi, nuk ka asnjë parashikim të mirë për PD në zgjedhje përsa kohë, siç thotë ai, PD është në luftë civile dhe nuk është në gjendje të arrijë armëpushim.
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, ai e përshkroi gjendjen e PD si “depresive, të mjerueshme, me zhvillime të frikshme dhe në një katandisje gati të pashpresë”. Por zoti Patozi, i cili përfaqëson sot partinë “Bindja Demokratike” nuk i ka humbur shpresat për ringritjen e opozitës.
“Shpresën e shoh tek një riformatim i opozitës në tërësi dhe jo thjesht i PD. Pasi të dalë rezultati i zgjedhjeve, shpresoj që të gjithë faktorët opozitarë të reflektojnë dhe zërat e arsyeshëm brenda opozitës do të gjejnë forcë të krijojnë një lloj konfederate opozitare. Vetëm Foltorja me partinë e Ilir Metës janë të pamjaftueshëm për të përfaqësuar popullin opozitar. Pres me padurim rezultatin proporcional, sepse, për fat të keq, pritshmëritë që opozita të arrijë një rezultat pozitiv në maxhoritar janë shumë të pakta dhe përgjegjësi për këtë ka PD, e cila nuk ka mbaruar ende luftën civile brenda vetes”, tha zoti Patozi për emisionin “Pa Censurë”.
Ai ishte shumë i drejtpërdrejtë në përgjigje, kur u pyet nëse opozita mund të arrijë në keto zgjedhje 620 mijë votat e 2021-shit, të marra vetëm nga PD dhe aleatët e listës së saj në zgjedhje.
“Pres një humbje të opozitës. Jam shquar për realizëm gjatë jetës politike. E vërteta është që të gjithë bashkë, por kryesisht Foltorja me Ilir Metën nuk do të kemi sukses në zgjedhjet maxhoritare për bashkitë e vendit. Do ta konsideroja sukses, nëse koalicioni i tyre do të arrinte rezultatin e 2015-ës me diku tek 15-16 bashki”, u shpreh Astrit Patozi.
I larguar nga PD 6 vite më parë, zoti Patozi merr pjesë në zgjedhje bashkë me LZHK-në e Dashamir Shehit.
Ata janë të fokusuar tek rezultati për këshillat bashkiakë, si një test për zgjedhjet politike të 2025-ës.
Lini një Përgjigje