TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Shkurt 2026, 14:33

"Nuk ke lidhje me PD"/ Salianji i përgjigjet ashpër Berishës: Partia Demokratike nuk është pronë private!

Shkruar nga Pamfleti
"Nuk ke lidhje me PD"/ Salianji i përgjigjet ashpër
Ervin Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, reagoi ndaj deklaratave të kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili tha se ai nuk ka asnjë lidhje me partinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji kundërshtoi këtë qëndrim dhe theksoi se lidhja me Partinë Demokratike nuk përcaktohet nga vendime formale apo deklarata publike. Ai argumentoi se kontributi dhe përballjet politike janë treguesi real i përkatësisë.

Salianji deklaroi se Partia Demokratike përfaqëson një komunitet të gjerë mbështetësish dhe se nuk mund të trajtohet si pronë individuale. Ai vuri në dukje se qytetarët kërkojnë një opozitë që organizohet për të fituar dhe jo një forcë politike që përfshihet në debate të brendshme.

Në reagimin e tij, ai njoftoi se do të vijojë takimet me demokratët në qytete të ndryshme për të prezantuar një platformë që synon riorganizimin dhe forcimin e partisë.

Gjatë javëve të fundit, Salianji ka zhvilluar disa takime me mbështetës të tij, ndërsa Partia Demokratike nuk i ka konsideruar këto aktivitete si nisma zyrtare të strukturave të saj. Këto lëvizje kanë sjellë përplasje dhe qëndrime të kundërta brenda radhëve të partisë. 

"Nuk kam asnjë nevojë të provoj lidhjen time me Partinë Demokratike. Kontributi im, beteja ime, sakrifica që kam si pakkush janë publike dhe të njohura për çdo demokrat.

Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit.

Sot qytetarët nuk pyesin kush përjashton kë. Ata pyesin pse opozita nuk fiton. Pse nuk frymëzon? Pse nuk organizohet si alternativë qeverisëse, por mjaftohet me retorikë dhe justifikime.

Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që konsumon energjinë në përplasje të brendshme. Ka nevojë për hapje, për riorganizim dhe për lidership që bashkon, jo që ngushton.

Unë do të vazhdoj takimet me demokratët dhe do të paraqes një platformë konkrete për ta bërë Partinë Demokratike më të fortë, më të hapur dhe më konkurruese. Askush nuk mund ta përjashtojë vullnetin e demokratëve për ndryshim. Qetësia, përgjegjësia dhe vendosmëria janë rruga ime. Përçarja nuk është alternativë. Fitorja është", shkruan Salianji. 

ervin salianji partia demokratike

Lini një Përgjigje