
Meta dhe Kryemadhi ankimuan vendimin e Shkallës së Parë, por gjyqtarja pasi dëgjoi palët vendosi që të mos ndryshojë masat e sigurisë...
Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar të nxjerrë nga qelia Ilir Metën.
Pas një seance të gjatë ditën e sotme, në fund gjyqtarja Igerta Hysi vendosi që ish-presidenti të mbetet nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Po ashtu u la në fuqi dhe masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin.
Meta dhe Kryemadhi ankimuan vendimin e Shkallës së Parë, por gjyqtarja pasi dëgjoi palët vendosi që të mos ndryshojë masat e sigurisë. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt:
“Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K", njofton Apeli i GJKKO.
Diskutimet në seancë
Sa i takon seancës, Ilir Meta akuzat për mosdeklarim pasurie i konsideron tendecioze, pasi sipas ish-kreut të Shtetit, me plotësimin e formularëve të pasurisë është marrë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi.
Meta theksoi se shumica e pronave dhe llogarive bankare janë të Monika Kryemadhit, duke shtuar se “Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit”.
Ish-Presidenti i vendit deklaroi se nuk mban përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve, përfshirë ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrën e tij.
“Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze. Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.
Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.
Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI. Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.
Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen”, u shpreh Ilir Meta.
Më tej ai ka sqaruar raportin me biznesmenin shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku, emri i të cilit ka dalë në dosjen hetimore të SPAK. Meta u shpreh se Adrian Shatkun, kushëriri i Monika Kryemadhit, i kishte ftohur marrëdhëniet për shkak se vendosi në dyshim seriozitetin e tij. Madje Meta thotë se paralajmëroi edhe të afërmit.
“Lidhur me marrëdhëniet e LSI me dy kompani të tjera lobuese të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, çdo vendim dhe autorizim i lëshuar nga unë për këto marrëdhënie ka qënë në respekt ekstrem të ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Nëse ka veprime të paligjshme nga ky person apo kushdo tjetër, SPAK-u t’i vendosë përpara përgjegjësisë penale në Shqipëri apo SHBA në bashkëpunim me drejtësinë amerikane.
Dua të sqaroj se asnjëherë nuk kam përfituar asnjë gjë nga ky person përveç njohjes që kemi patur për arsye të origjinës së tij dibrane dhe miqësive që kishte me të afërm të mi për këtë shkak.
Siç e kam deklaruar në SPAK prej kohësh, kisha vënë në dyshim seriozitetin e tij dhe ftohur marrëdhëniet me të dhe për këtë kisha paralajmëruar edhe të afërmit, por edhe bashkëpunëtorët e mi, që kishin kontakte të afërta me të”, u shpreh Meta. /Pamfleti
Lini një Përgjigje