
Kreu i Shteti do të zhvillojë një takim me dy partitë kryesore PS-PD, ku do të konsultohet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj do të nisë të enjten konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
Fillimisht presidenti Begaj do të takohet ditën nesërme me kreun e PR-së, Fatmir Mediut, kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi si edhe kreun e LZHK-së Dashamir Shehit. Ndërkohë që ditën e enjte do të takohet me drejtuesit e PL-së.
Më pas më datë 25 nëntor, Kreu i Shteti do të zhvillojë një takim me dy partitë kryesore PS-PD, ku do të konsultohet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Më herët është raportuar se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen mes dy të dielave të para të majit, 4 ose 11 maj. Gjithsesi këto janë thjesht supozime, pasi përcaktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë e Presidentit të Republikës, i cili pas konsultimeve me aktorët kryesorë politikë në vend, dekreton edhe datën e zgjedhjeve.
Nga praktikat e mëparshme, caktimi i datës së zgjedhjeve është bërë me dakordësinë e palëve, ku Presidenti konsultohet për dy data të mundshme, që i parashtrohen përfaqësuesve të partive politike.
Përgjithësisht zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë mbajtur në muajt maj-qershor, me përjashtim të dy zgjedhjeve të para pluraliste që janë mbajtur në 31 mars 1991 dhe 22 mars 1992, dhe një rasti në 2005-ën, kur procesi u zhvillua në 3 korrik.
Lini një Përgjigje