
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili prej më shumë se një muaji ndodhet në burg, pasi u arrestua me urdhër të SPAK ka paraqitur argumentet e tij në Apelin e GJKKO ku kërkon lirimin.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë dëshminë e tij përpara Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Teksa sqaron të gjitha argumentet e tij, Ilir Meta thotë se nuk e imagjinon të arratiset, madje u drejtohet gjykatësve duke i thënë se nëse ata e kanë këtë shqetësim le t'i bllokojnë pasaportën.
Referuar përvojës amerikane, Meta kërkon që të lihet e lirë dhe të ushtrojë detyrimet e tij ndaj qytetarëve që e kanë zgjedhur. Ilir Meta kërkon që t’i jepet fund kësaj sjellje paragjyqësore, siç e quan ai ndaj ish-Presidentit të Republikës.
Ish presidenti gjithashtu akuzoi SPAK si të papërgjegjshëm teksa tha se Prokuroria e Posaçme duhet ti japë fund hetimeve për të.
"Zonja Gjykatëse, jepini fund kësaj sjellje paragjyqësore ndaj ish-Presidentit të Republikës! Kulmi i papërgjegjshmërisë të SPAK-ut dhe sidomos të kallëzuesit tim në SPAK për çështjen CEZ-DIA, të dënuarit nga gjykata për dhunë në familje, Romeo Kara, si edhe dëshmitarit kryesor, që i referohet SPAK, Elvis Mataj, i cili ishte krahu i djathtë i Kastriot Ismailajt në menaxhimin e DIA dhe i denoncuar nga ky në prokurori për vjedhje dhe mashtrim, është pikërisht ky paragraf i shkruar nga vetë SPAK në faqen 34, paragrafi i parë:
“Nga deklarimet e shtetasit Romeo Kara, ka rezultuar se në biseda me shtetasin Elvis Mataj, ky i fundit i ka thënë që Kastriot Ismailaj me çantën e Elvisit i ka dërguar një sasi të konsiderueshme parash në shtëpi Ilir Metës, gjë e cila në deklarimet e Elvis Mataj nuk është pranuar”.
Pra në një paragraf kaq konçiz të shkruar nga SPAK-u, ose kallëzuesi i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të regjistruar këtë çështje mashtron, ose dëshmitari i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të shpifur për personin tim gënjen. Por që të jemi seriozë dhe jo si SPAK-u, ata gënjejnë kryesisht që të dy nga fillimi në fund lidhur me personin tim për qëllime politike të regjimit dhe ekonomike të atyre vetë", tha Meta.
Sipas Metës, dëshmitarët Romeo Kara dhe Elvis Mataj të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA-s dhe pasi hynë në konflikte me të për punë parash
"Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Kastriot Ismailit në drejtimin e DIA-s dhe pasi hynë në konflikte me të për punë parash. Me këtë rast Romeo Kara fitoi vendin e punës në shtet në sektorin energjitik ndërsa Elvisit iu pushuan çështjet me drejtësinë dhe jo vetëm atij, por edhe bashkëshortes, e cila ishte e paditur po ashtu për mashtrime dhe kishte interesa direkte me CEZ-in.
Është po ky Romeo Kara që në procesin gjyqësor ku u dënua Kastriot Ismailaj asnjëherë nuk e ka përmendur emrin tim si të lidhur me DIA apo Kastriot Ismailin. Madje në një deklaratë të tij nën betim kur ai kujton se si Kastriot Ismailaj i bëri ofertë të punonte me të te DIA, pyetjes së Romeos se a ishte i lidhur me politikanë, Kastrioti i ishte përgjigjur se jo, ai ishte i lidhur me amerikanët për DIA. Fakti, që ai në këtë biznes ishte i lidhur me amerikanët, është e provuar edhe në deklaratat e Z. Josef Hejsek në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë. Sidomos në kapitullin e IV “Shareholders of DIA”. Pra përfshirja e partnerëve të tij amerikanë në këtë biznes, që nga fillimi, është e konfirmuar edhe në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë, krejt ndryshe nga sa përpiqet të manipulojë SPAK, si një biznes i Kastriot Ismailit dhe Arjan Laçit. Këtë gjë e ka pohuar edhe ish-bashkëshortja e tij Vojsava Ismaili duke përmendur partneren e tij në të gjitha bizneset, amerikanen Rebecca Gaskin", deklaroi ish presidenti.
Kujtojmë se në Apelin e Gjykatës së Posaçme po mbahet sot seancë në lidhje me ankimimin e presidentit të PL Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi. Meta ka ankimuar kundër masës së sigurisë “Arrest me burg”, nën arsyetimin se nuk ekziston rrezik që të prishë provat dhe se nuk rrezikohet arratisja e tij pasi ka deklaruar se do të përballet me drejtësinë.
Ndërkohë, Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në SPAK për ankimimin e masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”. Kryemadhi është shfaqur sot para mediave me humor, ndërsa nuk i ka kursyer edhe ironitë.
“U mësuam tani”, dëgjohet Kryemadhi t’u thotë gazetarëve që i kërkojnë një koment për paraqitjen e saj sot në GJKKO.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Dëshmia e plotë e Metës:
Lidhur me dyshimet për përfshirjen time në veprime të paligjshme me lobimet, distancohem me neveri nga përpjekjet e qëllimshme të SPAK-ut, pa asnjë provë, për të më implikuar përmes hamendësimeve kur e ka patur të gjithë kohën për të paraqitur prova që më ngarkojnë mua me përgjegjësi penale.
Përgjegjësia penale është individuale.
Edhe tani që unë ndodhem në këtë sallë gjyqi dikush apo disa persona mund të kryejnë veprime spekulative pa dijeninë dhe autorizimin tim diku në shkelje të ligjeve.
Është e sigurtë që çdo veprim, vendim Kryesie i LSI, autorizim i lëshuar nga unë ka qenë i ligjshëm dhe transparent në respekt të ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Siç është e sigurtë që një shtetas greko-amerikan, avokat Fidetzis, kishte firmosur pa dijeninë time një kontratë me McKeon Group, që u denoncua nga ana ime te Presidenti i këtij grupi dhe i cili më pas i bëri letër zyrtare Departamentit të Drejtësisë (të cilën do e keni bashkëngjitur) duke i thënë se pasi u takuam me Kryetarin e Parlamentit dhe të LSI, Z. Meta, ai na informoi se personi që ka firmosur në emër të LSI nuk ka qenë i autorizuar prej tij dhe po kështu edhe fushat e bashkëpunimit janë të ndryshme. Ndaj kërkojmë që ajo të konsiderohet e pavlefshme.
Ndërkohë pagesa 15,000 USD për llogari të kësaj kompanie është bërë në mënyrë transparente nga Kryesia e LSI me kërkesën e Z. Vangjel Tavo, anëtar i Kryesisë dhe deputet, i cili ishte edhe ndërmjetësi që insistoi për takimin me Fidetzis në Athinë në fund të Nëntorit ose Dhjetor 2016.
Po kështu ishte Z. Tavo që insistoi për një pagesë 15,000 USD për McKeon Group bazuar në premtimet e avokatit greko-amerikan se kjo kompani do të ishte shumë me ndikim.
Por kur shkuam në Uashington për inagurimin e Presidentit Tramp, ftesat për të cilën ishin siguruar më parë nga Kongresi, u çudita kur u njoha nga Presidenti i McKeon Group me marrëveshjen që kishte firmosur Fidetzis në emër të LSI dhe i kërkova atij që ajo marrëveshje të anullohej sepse nuk ishte e autorizuar nga unë dhe se fushat e bashkëpunimit që ne ishim të interesuar ishin të ndryshme nga ato që kishte firmosur Fidetzis.
Kontaktet me kompaninë McKeon Group vazhduan edhe pak kohë por kurrë nuk u finalizua një marrëveshje për arsye se ofronin shërbime shumë të shtrenjta dhe që nuk ishin të përballueshme nga ne.
Ndërsa lidhur me pretendimin se më pas u bë një marrëveshje me McKeon Group përmes “Dorelita” të Fidetzis ky është një mashtrim dhe manipulim skandaloz
Për herë të parë ekzistencën e “Dorelita” e kam dëgjuar kur “Mother Jones” publikoi një shkrim të sponsorizuar.
Që Fidetzis ishte mashtrues, për këtë u binda që në takimin e dytë në Uashington kur e denoncova te Presidenti i McKeon Group.
Asnjëherë se kam autorizuar këtë person për të më përfaqësuar pranë McKeon Group e kujtdo, direkt apo indirekt.
Po kështu, as numrin e telefonit të tij apo adresë email nuk kam patur edhe nuk isha i interesuar.
Çdo kontakt e kam patur me të vetëm përmes Z. Tavo, i cili ishte edhe ndërmjetësi i takimit me të në Greqi, në Nëntor ose Dhjetor 2016.
Po kështu, në Mars-Prill 2017 unë nuk kam qenë në SHBA, nuk kam bërë takime dhe as kisha interes sepse isha zgjedhur President më 18 Prill.
Dua të nënvizoj se me manipulimet e çështjeve CEZ-DIA dhe këtë të McKeon Group është marrë personalisht Charles McGonigal, ish-zyrtar i lartë i FBI, sot në burg.
Po kështu, ai u mor edhe me çështjen e atentatit gjoja kundër deputetëve Doshi-Fufi me kërkesë dhe porosi të Kryeministrit, kryekorruptuesit të ndërkombëtarëve, me qëllim eleminimin e opozitës dhe garantimin e pandëshkueshmërisë së tij.
Ndaj jo rastësisht çështja CEZ-DIA që ishte gjykuar disa herë më parë dhe për të cilën ishin dhënë dënime, u rihap pikërisht në vitin 2018 përmes një kallëzuesi si Romeo Kara.
Prandaj jo rastësisht në 2018 u inskenua një intervistë në mërgim e Vojsava Ismailit me një gazetar, Fatos Mahmutaj dhe jo rastësisht këtë çështje e mori përsipër Altin Dumani në dhjetor 2019 në kulmin e konfliktit tim si President me Kryeministrin Rama dhe McGonigalët, për të mos lejuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me marrëdhëniet e LSI me dy kompani të tjera lobuese të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, çdo vendim dhe autorizim i lëshuar nga unë për këto marrëdhënie ka qënë në respekt ekstrem të ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Nëse ka veprime të paligjshme nga ky person apo kushdo tjetër, SPAK-u t’i vendosë përpara përgjegjësisë penale në Shqipëri apo SHBA në bashkëpunim me drejtësinë amerikane.
Dua të sqaroj se asnjëherë nuk kam përfituar asnjë gjë nga ky person përveç njohjes që kemi patur për arsye të origjinës së tij dibrane dhe miqësive që kishte me të afërm të mi për këtë shkak.
Siç e kam deklaruar në SPAK prej kohësh, kisha vënë në dyshim seriozitetin e tij dhe ftohur marrëdhëniet me të dhe për këtë kisha paralajmëruar edhe të afërmit, por edhe bashkëpunëtorët e mi, që kishin kontakte të afërta me të.
Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze.
Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.
Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo.
Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.
Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI.
Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.
Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen.
Ky hetim skandaloz i sponsorizuar nga Qeveria dhe McGonigalët, i bazuar në mashtrime, manipulime dhe njëanshmëri ekstreme, i konkluduar me një rrëmbim banditesk, siç e kanë parë të gjithë nga banditë me maska, që hyjnë dhunshëm në makinë me armatim të rëndë, që nuk identifikohen, që nuk japin asnjë shkresë apo akt zyrtar, që nuk të lejojnë të kontaktosh avokatin, që nuk të njohin me të drejtat e tua dhe që dhunshëm të fusin në një makinë private për të të çuar në Drejtorinë e Policisë, ku vetëm pas dy orësh vijnë oficerët e Policisë Gjyqësore, duhet të marrë fund.
Unë asnjëherë nuk i kam refuzuar ftesat e SPAK-ut.
Unë nuk kam asnjë pozitë, mundësi të prish provat, sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve.
Unë as e imagjinoj të arratisem dhe nëse ekziston ky shqetësim ju mund të vendosni të bllokoni pasaportën time.
Por unë jam ish-President, gëzoj këtë status ende dhe juridikisht dhe President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe Partia e tretë prej 20 vitesh.
Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani.
Çdo vendim nën diktat jo vetëm do të rëndonte parregullistë e këtij procesi por dhe minonte parimet e shtetit të së drejtës.
Kjo sjellje paragjyqësore e deritanishme (nga SPAK-u dhe Policia) duhet të marrë fund dhe ky proces hetimi dhe gjykimi duhet të vendoset në shinat e procesit të rregullt ligjor në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Lini një Përgjigje