
Nuk është aspak e zakonshme telefonata e Donald Trump me Aleksandër Vuçiç...
Mund të duket fantashkencë e ardhur nga Marsi, por nuk është e tillë. E jo vetëm se Marsi është bërë një vend i afërt me njeriun e momentit, Elon Musk, por se në Ballkan diplomacitë kanë lëvizur prej kohësh.
Një burim diplomatik i tha ‘Pamfleti’-t, se prej muajsh tashmë, diplomatët amerikanë në rajon po lëvizin shumë për kontaktet e duhura.
Jo vetëm diplomatët, por mbi të gjitha, ata që fshihen nën petkun e diplomatit. Bëhet fjalë për oficerët e CIA-s, e cila më shumë sesa Joe Biden dhe Donald Trump, ka zbuluar me anë të tentativave dhe negociatave të fshehta, se Vladimir Putin është gati për një tratativë për Ukrainën.
Madje, po nga burimi diplomatik në Tiranë, mësohet se CIA ka folur përveçse me Presidentin Biden, edhe me Donald Trump, ndërkohë që ishte kandidat për President.
Burimet theksojnë, se edhe Elon Musk, i cili është prezent me rrjetin e tij Starlink në Ukrainë, dhe zotëron një certefikatë zyrtare sigurie, pasi punon me Pentagonin, është në dijeni.
Por Musk është i shqetësuar pasi kërkon kontrata më të mëdha dhe ekskluzivitet me qeverinë amerikane, ndaj është futur në politikë, për të siguruar një akses më të drejtëpërdrejtë.
Burimi diplomatik, bëri të ditur, se edhe pse Donald Trump i ka fituar të gjitha pushtetet, ai nuk do të ketë mundësi për të bërë gjithçka e për të ndryshuar çdo gjë në SHBA.
Amerika ka një administratë qëndrore, të dikastereve federale shumë të madhe e të konsoliduar në vite e vite. SHBA është vendi i vetëm në botë ku administrata qëndrore ka mbi 5 milionë të punësuar që paguhen nga niveli federal.
Këtu hyjnë që nga ushtarakët e Pentagonit, FBI, Departamenti i Shtetit, apo edhe agjentët federal të agjencive të ndryshme e shumë të fuqishme si; DEA, doganat, garda detare, agjencia kundër duhanit e alkolit etj etj.
Të gjitha këto agjenci kanë në brendësi të tyre profesionistë nga më të mirët në botë, e zotërojnë teknologjinë e fundit.
E gjithë kjo armatë, ku në krye qëndron Pentagoni e DASH, janë në syrin e korporatave e industrive të mëdha për kontrata e tenderë.
Musk, në SHBA po konsiderohet si një Sorros i ri, që kërkon të ketë pjesën e luanit në ‘deal’-in me administratën e stërmadhe amerikane, për të rifreskuar mënyrën dhe aktorët në lojë. Pra e gjitha kjo nuk është gjë tjetër, veçse biznes.
Nga ana tjetër, pra në kuadrin e luftës në Ukrainë, impenjimi amerikan nuk mund të lejojë, sipas burimit, një poshtërim apo humbje të SHBA.
Edhe pse Putin i ka pushtuar territoret lindore të Donjetskut e Donbasit, ata i kontrollonte me proxy, pra me paramilitarë e mercenarë që në vitin 2014.
Ka një aktor të madh në lojë që nuk do të ketë negociata për Ukrainën: Kina. E cila do ta shtyjë Moskën në një konflikt sa më të gjatë, që ajo të përfitojë prapa shpinës terren sa më të madh.
CIA, e cila nuk e ka ndalur në asnjë moment tratativën përtej linjave të luftës, ka arritur siç duket në një përfundim strategjik, se Putin është i disponueshëm për një negociatë edhe për arsye terreni, por mbi të gjitha se kërkon të krijojë një balancë forcash me Kinën për të mos qenë vasal i saj.
E në këtë panoramë të madhe, ku hyn Ballkani?
Nuk është aspak e zakonshme telefonata e Donald Trump me Aleksandër Vuçiçin. Pasi ky i fundit shihet si interlekutori më i mirë me Vladimir Putinin përtej linjës tashmë të përcaktuar të ndarjes së re Lindje- Perëndim. Ku po luftohet politikisht edhe në Moldavi e Gjeorgji për të krijuar raporte forcash.
Natyrisht është edhe Rexhep Tajip Erdogan, madje ai ka qenë deri më sot që prej nisjes së luftës në Ukrainë, i vetmi interlekutor i NATO-s që ka ofruar veten, njerëzit dhe vendin e tij për negociata. Por duket se SHBA druhet për t’i dhënë ekskluzivitet Erdoganit, pasi ka frikë se e shfrytëzon për ekspansionin e tij në Lindje të Mesme. Sipas burimit, Sulltanit do t’i lihet vetëm mundësia për të manovruar dhe ruajtur kalimet e Detit të Zi dhe ngushticës së Dardaneleve, jetike për furnizimin e Europës me lëndë të para.
Ka ndërkohë të dhëna, se edhe kryeministri Rama është vetëofruar në këtë proces, pra që të këshillojë edhe informojë Volodomir Zelenskin në procesin e gjatë të negociatave, që sipas gjasave do të jetë i vështirë.
Pasi po bëhet fjalë për një negociatë të madhe ‘alla Jaltë’, ku me një proces ‘One Stop Shop’ do të diskutohet për Ukrainën, Lindjen e Mesme, por dhe pjesë të tjera si Ballkani apo zona e Kaukazit.
Në Ballkan synohet të mbyllet përfundimisht problemi mes Kosovës dhe Serbisë, problemet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, natyrisht çështja e Bosnjës dhe Republika Srbska. Ka sinjale të forta, se në proces kërkon të hyjë edhe Athina në lidhje me pretendimet e saj karshi çështjes së Qipros, Shqipërisë, Turqisë e Maqedonisë së Veriut. Këtu shpjegohet sipas burimit të Pamfletit, telefonata e Trump me Micotaqisin, për ta shtyrë që të mos nxisë tension, sidomos për problemin e Qipros.
I gjithë ky teatër i madh, që po luhet nga Amerika me aleatët e saj, ka një synim të madh strategjik: ta mbajë larg Kinën nga Europa dhe Euroazia. A do t’ia arrijë ta bëjë këtë në momentin që Pekini është tashmë fuqia kryesore botërore pas SHBA?
Ndoshta jo tërësisht, e ka mundësi të hyjë edhe Xi tek tre të mëdhenjtë duke i trazuar pak forcat në terren. Ndaj dhe acarimi i situatës në Ukrainë dhe leja dramatike e Biden që Ukraina të përdorë Army Tactical Missile Systems kundër Rusisë, duket si një sinjal për të turbulluar drejt qetësimit.
Në Lindjen e Mesme ka ndodhur një zhvillim; Hezbullahu e ka pranuar armëpushimin amerikan, që tregon se ka pasur një sinjal direkt nga Teherani, por sigurisht me një leje edhe të Vladimir Putinit./Pamfleti
Lini një Përgjigje