TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Mars 2025, 12:21

Një Evropë “vegjetariane”, nuk mbijeton dot në një botë “mishngrënësish”

Shkruar nga Francesca Schianchi

 Një Evropë “vegjetariane”, nuk mbijeton dot në

Sipas ish-komisionerit të BE, Paolo Gentiloni, vetëm mbrojtja e përbashkët ushtarake, do të garantojë sigurinë e kontinentit...

Një Evropë “vegjetariane”, nuk mbijeton dot në
Paolo Gentiloni /

Pas përplasjes së fortë verbale midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ish-komisioneri evropian Paolo Gentiloni i bën thirrje Evropës “Tani është radha jote!”. Duke e ditur që situata është shumë delikate, Gentilioni e cilëson të natyrshme ndjenjën e ankthit midis evropianëve, teksa shton se vetëm mbrojtja e përbashkët mund ta shpëtojnë kontinentin.

Çfarë përshtypje ju bënë skenat e të premtes së shkuar në Shtëpinë e Bardhë?

Ishte një spektakël tragjik. Nuk e di nëse ishte një kurth i orkestruar, në të cilin ra Zelensky. Por është sigurisht diçka që nuk është parë kurrë më parë. Ne pamë të premten drejtpërdrejt në televizion rënien e Perëndimit.

Çfarë pasojash do të ketë kjo ngjarje?

Trump po sillet, duke mos bërë aspak dallimin midis atyre që pushtuan dhe atyre që mbrojtën veten. Duke e quajtur Zelenskyn diktator, dhe duke thënë se ai tashmë e ka humbur një luftë, që është në një ngërç të tmerrshëm dhe të përgjakshëm, presidenti amerikan po mbështet pikëpamjet e Putinit. Një zhvillim shumë negativ.

Madje duket se ai po mendon të anulojë ndihmat ushtarake për Ukrainën…

Do të ishte një problem serioz, por nuk mendoj se është e mundur. Shumë vende evropiane, përveç Ukrainës, po punojnë për ta parandaluar këtë skenar. Aktualisht, po punohet për të rindërtuar atë që është e mundur në marrëdhëniet Trump-Zelensky.

A kemi arritur në pikën ku Evropa dhe Amerika janë më të distancuara se kurrë më parë?

Ne duhet të mbetemi të lidhur me marrëdhënien transatlantike. Macron dhe Starmer, kanë bërë ditët e fundit përpjekje maksimale për të mbajtur gjallë atë që mundet. Perëndimi gjendet në një krizë të thellë, por do të ishte një gabim trashanik ta përshpejtojmë fundin e tij.

Pra, a ka të drejtë edhe Meloni që përpiqet të ruajë balancat midis SHBA-së dhe BE-së?

Macron dhe Starmer po e bëjnë këtë përpjekje pa e sakrifikuar Ukrainën. Të njëjtën gjë duhet të bëjë cilido që imagjinon një rol të ngjashëm “urë-ndërtues” për qeverinë italiane. Por unë dyshoj se mund të ndodhë kjo gjë.

Pse?

Sepse koalicioni qeveritar aktual ka mendime të ndryshme, mbi qëndrimin që duhet të mbajë ndaj Ukrainës. Pastaj si për shpenzimet ushtarake, ashtu edhe për bilancin tregtar, Italia nuk është një vend model në raport me retorikën e administratës amerikane aktuale.

E megjithatë Meloni, po e propozon veten si një ndërmjetëse midis dy anëve të Atlantikut për shkak të marrëdhënies së saj të mirë me Donald Trump…

Pozicioni i saj është i qartë: po përpiqet të jetë në harmoni me të djathtën ekstreme amerikane për çështjet identitare dhe ideologjike, por pa u shkëputur nga evropianët për çështjet ekonomike dhe gjeopolitike. Por teksa po thellohen ndarjet, qëndrimi në këto dy pista bëhet jo praktik.

Pra në një moment edhe Meloni duhet të zgjedhë anë?

Sigurisht, Italia nuk mund ta shmangë atë.

Çfarë prisni të ndodhë pas samitit të Londrës?

Shpresoj të kemi zhvillime konkrete në lidhje me çështjen e mbrojtjes së përbashkët. Po flasim për të prej 25 vjetësh. Çfarë tjetër duhet të ndodhë për të kuptuar nevojën për të hedhur një hap përpara?

Pse gjërat janë zvarritur për kaq shumë kohë?

Sepse për shumë kohë menduam se për mbrojtjen tonë do të kujdesej SHBA-ja. Ky besim duhet të ishte dobësuar që disa vite më parë. Ai që na kërkoi të ngrinim në  2 për qind të PBB-së shpenzimet në mbrojtje, ishte presidenti amerikan më i dashur në Evropë, Barack Obama. Tashmë është e qartë që Evopa nuk është më prioritet për Amerikën. Dhe ky ndërgjegjësim, është një nder i madh që po na bën Trump.

Në thelb zgjidhja është më shumë para për armët?

Nuk mjafton vetëm rritja e shpenzimeve kombëtare. Ne kemi nevojë për financim të përbashkët, që e kapërcen rezistencën ndaj prodhimit të armëve në Evropë dhe blerjes së sistemeve evropiane të mbrojtjes.

Kampi juaj politik, e majta, i ka parë gjithmonë me dyshim armët dhe mbrojtjen. A është tani gati Evropa për këtë tranzicion?

Ju kujtoj që ishte socialisti Scholz, ai që njoftoi krijimin e një fondi special prej 100 miliardë dollarë për mbrojtjen në Gjermani, duke shpallur një “pikë kthese epokale”. Dhe qeveritë e udhëhequra nga socialistët, si ato në Spanjë dhe Angli, nuk janë kundër kësaj qasjeje.

A është gati edhe e majta italiane?

Dallimet janë të dukshme, por në përgjithësi ky ndërgjegjësim ekziston edhe në Itali. Ne jemi të lidhur me demokracitë tona, me mirëqenien tonë sociale, me të drejtat civile dhe paqen. Këto vlera duhet të mbrohen, sepse po kërcënohen në një botë me shumë tensione dhe ku ekzistojnë shumë autokraci.

Evropa nuk mund të mbetet e vetmja “barngrënëse” në një botë “mishngrënësish”. Unë i respektoj shumë pozicionet e pacifistëve dhe atyre që janë kundër armatimit. Por në mesin e atyre që kanë përgjegjësi qeveritare, askush në Evropë nuk po e  shmang këtë debat, ndoshta me përjashtim të Orban.

Çfarë mendoni mbi projektin e trupave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë?

Është e vështirë të diskutosh mbi të në mënyrë abstrakte. Dhe nuk është e dobishme të ndahemi në kampe pro dhe kundër diçkaje, konturet e së cilës ende nuk i dimë.

Një tension tjetër me SHBA-në janë tarifat e mundshme tregtare. Edhe pasi Macron bisedoi me Trump, ka pak shpresë që ky i fundit të ndryshojë mendje…

Mua më duket shumë i drejtë qëndrimi i Komisionit Evropian, që nëse do të detyrohet, do kundërpërgjigjet me tarifa të ngjashme ndaj SHBA-së. Evropa s’ka asgjë për t’u frikësuar, përveç ndarjeve të brendshme. Ne po punojmë për shmangien e luftës tregtare. Por nëse Trump e nis atë, ne nuk jemi më të dobët se amerikanët./Pamfleti nga “La Stampa”

evropa vegjetariane mishngrënës

Lini një Përgjigje