A do ta kapë Skënder Hitaj mundësinë e artë, apo do të ulet edhe ai në stol, pranë SPAK-ut?
SPAK-u e ka dosjen në tryezë prej muajsh: 58 faqe online bastesh pa licencë, emra të njohur dhe rreth 100 milionë euro në vit që qarkullojnë në hije. Por goditjet konkrete mungojnë. Ndërkohë, në vetëm tre javë në krye të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj ka dhënë më shumë se çdo tjetër: operacione të shpejta, sekuestrime në terren dhe arrestime të nivelit të lartë. Tani, ndërsa dosja e basteve ilegale mbetet e hapur, lind pyetja: a do të veprojë kryepolici aty ku SPAK-u ka hezituar?
SPAK-u lexoi, por nuk veproi
Dosja e basteve pa licencë nuk është sekret për askënd. Hetimet kanë identifikuar të paktën 58 faqe online që vazhdojnë të operojnë hapur, si dhe subjekte fizike që funksionojnë si pika bastesh pa leje. Në listën e evidentuar shfaqen ambiente të njohura në kryeqytet, ndërsa të ardhurat vjetore nga ky aktivitet i paligjshëm përllogariten të jenë qindra milionë euro; para që më parë shkonin në buxhetin e shtetit dhe sot ndahen mes personave që mbrojnë aktivitetin.
Por deri më tani, SPAK-u ka dhënë më shumë “sinjale” sesa goditje. Nuk ka pasur ndërhyrje masive në terren për të mbyllur këto pika, as sekuestrime të pasurive që, sipas hetimeve, janë ndërtuar nga miliona euro bastesh ilegale; kulla, resorte, hotele që shihen hapur në Tiranë dhe bregdet.
Arrestimi në fillimin e vitit 2026 i një personi të rëndësishëm në botën e basteve, i lidhur me një ngjarje dhune në Palasë, u lexua si një “sinjal”. Por për opinionin publik, ky mbetet një rast dështimi. Nuk ka pasur asnjë lëvizje ndaj strukturave që garantuan mbrojtjen e basteve ilegale, as ndaj personave që morën vendimet për bllokimin e licencave. Sikur ne fund të gjithë palët ranë dakort në heshtje.
Hitaj, nisja me goditje të forta
Që kur mori drejtimin e Policisë së Shtetit më 31 mars 2026, Skënder Hitaj ka bërë të qartë vetëm një gjë: nuk do të presë. Në vetëm tre javë, ai ka dhënë rezultate konkrete që flasin vetë.
Më 14 prill, një aksion i koordinuar në Tiranë goditi disa call center mashtrues që vepronin prej vitesh. Operacioni, i cili kishte nisur dy vjet më parë nga autoritetet gjermane dhe austriake pas ankesave të qindra qytetarëve evropianë, përfundoi me sukses në Shqipëri.
Gjatë ndërhyrjes u arrestuan 7 persona dhe u shoqëruan për pyetje mbi 80 operatorë. Në total u lëshuan 9 masa sigurie, nga të cilat 7 arrest me burg dhe 2 ndalim dalje jashtë vendit. Policia sekuestroi mbi 800 mijë euro cash, si dhe pajisje të shumta elektronike; kompjuterë, servera, USB dhe sisteme kamerash. Dëmi ekonomik nga kjo skemë mashtrimi përllogaritet të kalojë 50 milionë euro.
Por ajo që e bën këtë operacion të veçantë është fakti se ai u krye në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, duke treguar se Policia e Shtetit tashmë është një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Tre goditje brenda një jave kundër lojërave të fatit
Paralelisht me goditjen e call center-ave, Hitaj ka drejtuar një seri operacionesh kundër lojërave të fatit të paligjshme në disa qytete.
Më 22 prill, në operacionin e koduar “Fati i Lojërave” në Tiranë, u zbuluan 4 raste të përshtatjes së ambienteve për lojëra fati me makina elektronike dhe tavolina pokeri. U arrestuan 5 persona, 2 u shpallën në kërkim, ndërsa u sekuestruan 16 kompjuterë dhe pajisje të tjera.
Në Milot dhe Laç u konstatuan 3 ambiente të tjera të ngjashme, ku përveç lojërave të fatit u evidentuan edhe raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në këto zona u arrestuan 3 persona, u procedua një tjetër dhe një shtetas u shpall në kërkim, ndërsa u sekuestruan makina lojërash fati, tavolina pokeri dhe sasi kokaine.
Ajo që bie në sy në këto operacione është reagimi i shpejtë. Ndërhyrjet janë realizuar pas informacioneve të siguruara nga vetë drejtori Hitaj, i cili ka marrë sinjalizime përmes emailit zyrtar dhe ka orientuar më pas aksionet në terren.
Pastrimi nga brenda
Por ndoshta goditja më e rëndësishme e Hitajt ka qenë ndaj strukturave të vetë Policisë. Menjëherë pas marrjes së detyrës, ai nisi riorganizimin e strukturave drejtuese. Më 14 prill, ai largoi nga detyra shefin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe shefin e Policisë Rrugore. Sot, dorëheqjen dha drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë, një lëvizje që u lexua si shenjë e qartë se askush nuk është i paprekshëm.
Dhe kur SPAK-u më 22 prill arrestoi një efektiv policie të dyshuar si anëtar i grupit kriminal të call center-ave, Hitaj nuk nguroi. Ai tregoi se lufta kundër krimit nuk njeh uniformë.
Tani, ''peshqit e mëdhenj'' të basteve ilegale
Pikërisht këtu qëndron “mundësia e artë” për kryepolicin e ri.
Dosja e basteve ilegale është më e ndjeshme se ajo e call center-ave. Sipas hetimeve, ajo lidhet drejtpërdrejt me grupe kriminale të lidhura me pushtetin, me interesa që shkojnë në dhjetëra milionë euro në vit. Goditja e këtij tregu do të thotë të prekësh shumë më lart se ç’janë operatorët e thjeshtë të call center-ave.
Por Skënder Hitaj ka treguar se nuk frikësohet. Në tre javë ai ka bërë më shumë se çdo paraardhës i tij: ka goditur rrjete ndërkombëtare mashtrimi, ka mbyllur dhjetëra ambiente lojërash fati, ka pastruar struktura drejtuese dhe ka lejuar arrestimin e efektivëve të tij.
Tani ai ka një mundësi historike: të tregojë se Policia mund të bëjë më shumë se SPAK-u, dhe se për të goditur krimin e organizuar nuk duhen vite hetime, por vullnet dhe autonomi veprimi.
Pyetja mbetet e hapur: A do ta kapë Skënder Hitaj “mundësinë e artë”, apo do të ulet edhe ai në stol, pranë SPAK-ut? /Pamfleti
Bastet ilegale jane biznes privat i PSD nuk i prek skener hitaj