
Kandidati për kryetar Bashkie në Himarë, Fredi Beleri, i cili është lënë sot në burg nga gjykata e Vlorës, ka reaguar për herë të parë.
Edhe pse Beleri u largua nga ambientet e Gjykatës së Vlorës për një qeli, në një postim në faqen e tij zyrtare të ‘Facebook’-ut që menazhohet nga të afërmit e tij, bëhet thirrrje që të mbështesin atë në zgjedhjet për ditën e nesërme.
Beleri iu bën thirrje himariotëve që ta mbështesin në zgjedhjet e 14 majit, por jo vetëm.
“Momenti është tani!! Ju dua të gjithëve në krah!! Asnjë të mos mungoj në zgjedhjet e 14 Majit!!
Të gjithë jemi NJË dhe ju falënderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen, për dashurinë dhe ndihmën tuaj!!
Të gjithë bashkë për ndryshimin!! Për të ardhmen e vendit tonë!!”, shkruan në mesazhin e tij Beleri.
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Himarës, u arrestua pak pas mesnate të premten, nën akuzën për blerje votash. Ndërkohë, të shumta kanë qenë reagimet politike, ndërsa opozita e ka cilësuar skenar të Ramës. Po ashtu, reagime ka pasur dhe nga qeveria greke.
Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës.
Gjykata gjithashtu shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes. Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore.
Sipas të dhënave të policisë së Vlorës, arrestimi i Belerit, është bërë pasi ka konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i kodit penal. Së bashku me Belerin, policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, për të njëjtën akuzë, ndërsa avokati u lirua disa orë pas shoqërimit.
Lini një Përgjigje