Në Tiranë ditën e sotme po zhvillohet Ministeriali i Korridorit VIII, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Në fjalën e tij, ai e cilësoi projektin si një vendim me peshë politike dhe pjesë të strategjisë italiane për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Tajani theksoi se Roma e konsideron Korridorin VIII jo vetëm si investim infrastrukturor, por si instrument për të forcuar lidhjet mes rajonit dhe Europës. Ai konfirmoi angazhimin e Italisë për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit.
“Edhe për Italianë Korridori VIII, s’është vetëm zgjedhje teknike dhe infrastrukturore, është një zgjedhje politike, sepse kjo pjesë e strategjisë sonë për ribashkimin e Ballkanit me historinë europiane është strategjike për qeverinë italiane. Ne do të bëjmë maksimumin t’iu ndihmojmë që të jeni pjesë e BE dhe jam shumë i qartë për B.Perëndimor dhe Ukrainën. Por përpara duhet të plotësojmë ribashkimin. Them ribashkim, jo zgjerim, ju jeni europianë, ky është një ribashkim. Unë sot konfirmoj angazhimin tonë për të forcuar lidhjen dhe bashkëpunimin në rajon”, tha Tajani.
Ai e vendosi theksin te termi “ribashkim”, duke sqaruar se sipas tij procesi i anëtarësimit nuk përbën zgjerim të BE-së, por rikthim të vendeve të rajonit në familjen europiane. Në përfundim, ai riafirmoi gatishmërinë e Italisë për të forcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik në Ballkan.
Lini një Përgjigje