TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Shkurt 2024, 21:45

Meta gati të “sakrifikojë” Monikën për t’u shpëtuar prangave? Romeo Kara: E kanë bërë me dakordësi, janë zhytur në korrupsion të çmendur

Shkruar nga Pamfleti

Meta gati të “sakrifikojë” Monikën për t’u

Juristi Romeo Kara është i ftuari i mbrëmjes së sotme në podkastin “Të Pashoq” në kanalin e Pamfletit në YouTube.

Ai ka folur mbi situatën politike në vend dhe sidomos për pjesën që ka të bëjë me drejtësinë.

Kara është ndër të paktët që ka bërë padi për pushtetarët tanë dhe falë padisë së tij, Ilir Meta është drejt burgut. Po ashtu prangat rrezikon dhe Kryemadhi.

Para gazetares Edjona Dervishi, Kara ka folur edhe për dosjet e Monika Kryemadhit dhe mundësinë që ajo të “sakrifikohet” në vend të Ilir Metës për të vënë prangat.

Intervista

- Thuhet “underground” se Ilir Meta po tenton që t’i shpëtojë prangave duke bërë “kurban“ bashkëshorten, Monika Kryemadhi. Keni dëgjuar ju për këtë?

Këta kanë dhënë shembullin më të keq politik se si një familje mund të imponohet, pra të dy në parlament, të dy marrin partinë, kanë familjarizuar politikën, as Enver Hoxha nuk ka guxuar ta bëjë këtë. Edhe për çudi u eci, por në këtë rrumpallhane që kemi patur në mbi 30 vite, kështu ndodhi dhe besoj se edhe këta vetë me atë që bënë i dhanë këtë konjotacion politikës.

- Po nuk është pak e tepërt për ta besuar këtë që unë thashë?

Ka patur një lloj estrade, edhe gjëra qesharake e jo dinjitoze në këtë marrëdhënie që kanë krijuar këta të dy me njëri-tjetrin në raport me politikën, ku dikush i ka rënë gozhdës e tjetri patkoit. Kanë thënë vetë që ka dalë Monika në dakordësi me Lulin apo me Berishën nga Parlamenti, dhe shitën mandatet apo nuk hynë në zgjedhje pa më dëgjuar mua etj, etj. Në një moment unë i shoh ata që bëjnë sikur nuk merren vesh por në fakt janë një.

- Janë burrë e grua, normalisht. Janë një familje

Po mirë, burrë e grua janë, por nuk janë dhe kaq të sinqertë te kjo që e servirin.

- Është secili për hesap të vet?

Për hesap të familjes së tyre, mund ta pranojnë që njëri të marrë përsipër kusurin e tjetrit, që dikush të vazhdojë në familje dhe të mbijetojë ajo që mund të mbijetojë nga goditjet e drejtësisë

- Pra e quani sakrificë të dakordësuar?

Të kalkuluar.

- Të kalkuluar duke bërë llogari është ideja

Janë kalkulues por jo të devotshëm, nuk mendoj se vjen nga devotshmëria apo nga meraku që Meta ka për drejtësinë

- Me dosjet që janë duke u hetuar nga SPAK, sa e rrezikuar është Monika Kryemadhi për tu arrestuar?

CEZ DIA është dosje shumë e madhe dhe ishte pak e vështirë, unë e kuptoj. Kurse lobingjet dhe operacionet e zonjës në fjalë që thotë mua po më godasin për bukurinë që më ka bërë nëna, janë më të lehta. Se realisht unë kam parë me fakte që janë dhënë në media, janë më të lehta për tu verifikuar.

- Kujtojmë që zonjës Kryemadhi para pak kohësh SPAK i ka sekuestruar edhe disa sende personale, si celulari për shembull.

Po pra, janë më të lehta për t’u verifikuar sepse nuk janë bërë deklarimet tek ne, por janë bërë pagesa për shembull në spital. Kemi dhe raportin me kompanitë ruse dhe greke, të përfshira në Qipro, por që gjenden kollaj. I mohoi në fillim zonja. Na doli që kishte dalë në kufi, ishte kthyer për punë dy-tre orësh,  pra kishte bërë veprime bankare atë ditë. Ka qenë gazetari Doçi që e kishte konstatuar atë fakt, e kemi trajtuar dhe në media. Besoj që duket çështje e vogël por në përfundim kemi qindra mijëra euro e dollarë të investuara për shëndetin e saj, për pamjen e saj edhe për lobingjet që kanë bërë si parti. Pra kemi dy raste të tilla, edhe për lobingjet që janë bërë nga LSI në funksion të Metës, janë investuar në mënyrë të jashtëligjshme, pra nuk i kanë deklaruar në KQZ etj. Kemi dhe pastrim parash, kemi dhe operacionet.

- Në këto kushte besoni se do të ketë dy të arrestuar në familjen Meta-Kryemadhi?

Unë mendoj që, pavarësisht se do duket si e rëndë, vetë i kanë hyrë dhe kanë marrë këtë risk për të qenë protagonist në politikën e lartë dhe në korrupsionin e çmendur që ka sunduar politikën. Njerëzit këtu nuk hyjnë për t’i dhënë Shqipërisë, por hyjnë për ta shqyer. Këta janë dy kryesorët, nëse nuk mbajnë këta përgjegjësi, kush do të mbajë? Këta të dy, janë dy nga frymëzuesit më të mëdhenj të politikës. Mos të harrojmë fjalën nga Bruti pasi u vra Çezari: Nuk e vramë se ishte i korruptuar, por sepse frymëzoi të tjerë. Edhe puna e këtij çifti, mund të jenë të ndryshëm në mbiemër por janë njësoj në sojin e tyre në korrupsion. Të dy janë simbol të korrupsionit politik.

 

romeo kara monika kryemadhi

Lini një Përgjigje