Protesta e opozitës para parlamentit ka përfunduar pas rreth 2 orësh. Fjalimet kryesore në protestë ishin të Ilir Metës dhe të Sali Berishës. Me fjalimin e këtij të fundit, u mbyll edhe protesta, ndërsa qytetarët u shpërndanë brenda pak minutave. Ish-kryeministri iu drejtua selisë blu. Protesta e radhës e paralajmëruar është në datë 3 Mars, ora 12:00.
Paralelisht me protestën u mbajt seanca plenare në sallën e Kuvendit ku nuk munguan debatet mes opozitës dhe mazhorancës. I ndodhur mes protestuesve, Berisha tha se mazhoranca po shkel të drejtën kushtetuese të deputetëve dhe po pengon ngritjen e komisioneve hetimore.
Ndërkohë me datë 2 Mars është parashikuar të zhvillohet për 23 orë e 20 minuta mocioni me debat për çështjen “McGonigal”, ku dhe Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm.
Teksa po largohej, Berisha ka folur për mediat ku tha se vijon revolucioni i pamposhtur.
“Sot beteja i zhvillua në sallë nga deputetët tanë të cilët denoncuan e dënuan para shqiptarëve shkelmimin e Kushtetutës me urdhër të krim-kryeministrit Rama, ose krim-ministrit Rama. Tentoi të shkatërronte opozitën dhe ka rekrutuat me korrupsion partnerit tonë të madh kundërzbuluesin në një akt anti-SHBA e anti NATO. Ky akt dhe mbrojtja që po i bën pseudo mazhoranca tregon se kemi të bëjmë me një forcë politike dhe një kryeministër që mbron me çdo çmim e kusht pushtetin e interesat e Putinit dhe Putinit të vogël në Beograd. Protestat do vijojnë deri në largimin e Ramës. Nuk mund të quhet kryeministër ai që paguan kundërzbuluesin e botës ndaj opozitës”, tha ai.
Lini një Përgjigje