Prezenca e Gardës së Republikës në Kuvend shkaktoi debat mes kryetares së Kuvendit dhe deputetit të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
Bardhi iu drejtua kryeparlamentares të largojë Gardën dhe të kthejë Kuvendin në normalitet, ndërsa i kujtoi se po shkel rregullore.
Ai theksoi se garda ndërhyn në Kuvend vetëm atëherë kur cenohet integritetit fizik i deputetëve. Sipas tij, në Kuvend nuk ka asnjë sjellje agresive dhe se Garda nuk duhet të jetë prezente.
“Po del në pension dhe nuk ke lexuar akoma rregulloren e Kuvendit. Garda hyn në sallë kur cenohet integriteti fizik i deputetëve. Ti duhet të kthesh normalitetin në seancën plenare, është detyrimi juaj sipas ligjit dhe Kushtetutës. Nuk ka këtu asnjë rrezik për konflikt fizik, s’ka ndërmend njeri të prek askënd me dorë. Urdhëroni daljen jashtë të Gardës, përndryshe seanca është në anormalitet, për shkakun tuaj”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se Garda duhet të ndërhyjë vetëm kur ka rrezik për konflikt fizik.
Ai shtoi se deputetët e PS-së kur ishin në opozitë ngjiteshin deri në vendin ku sot është Nikolla dhe nuk i pengonte njeri.
“Mungesë totale respekti për shkeljen e rregullores nga ana juaj. Ti zonjë nuk e di rregulloren, po del në pension dhe nuk e ke mësuar akoma rregulloren e Parlamentit.
Ligji për Gardën e Republikës, thotë që punonjësit e Gardës hyjnë në sallat e seancave plenare vetëm kur rrezikohet integriteti fizik i deputetëve.", tha ai.
Lini një Përgjigje