TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Janar 2024, 18:54

“Marrëveshje e errët Rama-Basha”, Vokshi: E kanë nisur pazarin me resortet e jugut, po e vazhdojnë me 'zgjedhoren'

Shkruar nga Pamfleti

“Marrëveshje e errët Rama-Basha”, Vokshi: E kanë

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, nga tubimi që çdo ditë zhvillohet poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, ka deklaruar se Edi Rama prej kohësh po përpiqet të asgjësojë opozitën.

Vokshi ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit e përditshëm në protestat poshtë dritares së ish-kryeministrit Berisha duke vlerësuar sakrificën e tyre.

Sipas saj ata mbështetës sakrifikojnë për të luftuar për të drejtat e tyre.

“E keni bërë këtë sakrificë jo vetëm për të shprehur mbështetjen e pakufizuar për liderin historik të PD, profesor doktor Sali Berishën, por ju të dashura gra dhe nëna keni dhënë një leksion shumë të çmuar për fëmijët tuaj. U keni treguar se ç’do të thotë të luftosh për të drejtat e tua.

Jemi në regjim, kushdo që mendon se jemi në demokraci, e ka shumë gabim.

Edi Rama ka instaluar një neodiktaturë. Sot po kalojmë ditë të vështira për Shqipërinë, për demokracinë dhe pluralizmin.

Sot po kalojmë ditë të vështira për Kushtetutën dhe parlamentarizmin.

Edi Rama po mundohet të eliminojë parlamentarizmin si institucioni më i rëndësishëm”, ka thënë Vokshi në fjalën e saj.

Vokshi ka rikujtuar përjashtimin e 19 deputetëve ditën e sotme nga punimet e Kuvendit duke e quajtur një përpjekje të radhës të Edi Ramës për të asgjësuar opozitën.

Vokshi ka thënë se përjashtimi i deputetëve është pjesë e pazareve të Ramës e Bashës.

“E keni marrë vesh që Edi Rama ka përjashtuar 19 deputetë të opozitës, që përfaqësojnë mbi 200 mijë votues.

E ka bërë këtë vetëm pse ne protestuam dhe nuk pranuam farsën e një marrëveshje kulte Rama-Basha, një marrëveshje që ka nisur në resortet e jugut dhe ka vazhduar me takimet e fshehta Basha-Balla dhe tani i njëjti çift po mundohet që të kapë komisionin ad-hoc të reformës zgjedhore. Dhe kërkon që ne ta pranojmë.

Po a mendoni se deputetët e opozitës reale do pranojnë një farsë-reformë elektorale?

Do lejojmë që edhe njëherë zgjedhjet të dhunohen dhe të vidhen. Sepse ky është qëllimi i tyre, që të legjitimojnë vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme”, ka akuzuar Vokshi.

Deputetja demokrate ka thënë se opozita do të vijojë aksionin e saj dhe se Sali Berisha do të rikthehet më i fuqishëm se asnjëherë.

 

albana vokshi sali berisha

Lini një Përgjigje