
Reforma Zgjedhore është çështja kryesore e diskutimit aktualisht mes forcave kryesore politike në vend.
Opozita vijon të akuzojë mazhorancën se po e bllokon këtë reformë e në këtë kuadër Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Arbi Agalliu ka hedhur akuza se kryeministri Edi Rama nuk dëshiron që reforma të bëhet. Kjo sipas tij pasi një reformim i sistemit zgjedhor do t’i rrëzonte Ramës skemën e vjedhjes së votave.
“Rama nuk është i interesuar të bëjë Reformë Zgjedhore sepse e ka të ngritur skemën e vjedhjes së votave. Reforma me propozimin e PD rrit ndershmërinë e atyre që hyjnë në Kuvend. Ne kemi parë banda që futen në qendrat e votimit”, tha Agalliu.
Mirëpo akuzat për bllokimin e reformës hidhen edhe mes vetë demokratëve.
Agalliu ka akuzuar dyshen Berisha-Bardhi se gënjejnë kur thonë që janë në minorancë brenda komisionit të reformës.
“Debati për Reformën zgjedhore nuk është bërë mbi pikat se çfarë kërkojmë ti bëjmë reformës. Është qesharak fakti se po të shikosh sot PD ka dy kolegë, Alibeajn si bashkëkryetar dhe Çollakun si anëtar, nga ana tjetër Bardhi-Berisha janë shumicë në numra. Ata nuk janë në minorancë në komision, fakti që e thonë këtë është dashakeqësi", shtoi Agalliu në Report Tv.
Lini një Përgjigje