
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, Ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan është pritur në një takim edhe nga Presidenti Bajram Begaj. Presidenti Begaj ka diskutuar me kryediplomatin turk lidhur me marrëdhëniet mes dy shteteve por edhe për zhvillimet më të fundit në rajon.
Begaj ka vlerësuar se Shqipëria dhe Turqia janë partnere strategjike dhe kanë një miqësi tradicionalisht shumë të mirë.
“Bashkëpunimi shqiptaro-turk, në të gjitha fushat, është një bashkëpunim i frytshëm”, ka thënë presidenti Begaj.
Gjithashtu kreu i shtetit shqiptar i ka përcjellë kryediplomatit turk falenderimet për ndihmën që Turqia i ofroi Shqipërisë në proçesin e rindërtimit pas tërmetit.
Lidhur me zhvillimet më të fundit në rajon, presidenti Begaj ka thënë se fqinjësia e mirë është një nga shtyllat më të rëndësishme të politikës shqiptare.
“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla të rëndësishme për politikën shqiptare, që garantojnë paqe, siguri, stabilitet demokratik në rajon, si dhe janë parakushte për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Begaj.
Presidenti vlerësoi rolin dhe kontributin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor si një partner i natyrshëm e historik për paqen dhe sigurinë e rajonit.
Gjithashtu ai vlerësoi mbështetjen që Turqia jep për integrimin e Kosovës në organizmat rajonale dhe globale, si dhe lobimet e saj të fuqishme për njohjen e mëtejshme të Kosovës.
Më herët ministri i jashtëm turk, Hakan Fidam u prit nga homologu i tij shqiptar Igli Hasani me të cilin ka zhvilluar edhe një konferencë të përbashkët për shtyp ku theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet në shumë fusha si ekonomia, arsimi dhe turizmi.
Lini një Përgjigje