
Lidhur me përjashtimin e 19 deputetëve të opozitës nga punimet e Kuvendit, deputeti demokrat Ervin Salianji ka thënë se është Edi Rama ai që kërkon një vend pa opozitë.
Sipas Salianjit, Rama e ka patur nën kontroll opozitën, por tani nuk e ka më.
Akuzat e Salianjit vijojnë duke thënë edhe se Edi Rama ka kapur çdo institucion të vendit.
“Rama do një vend pa opozitë, ka luftuar dhe ka arritur të nënshtrojë çdo institucion, edhe opozitën e ka pasur deri para pak kohësh. Po kërkon të ketë një parlament pa opozitë. Përjashtohen 19 deputetë vetëm se protestojnë për të kthyer të drejtën Kushtetuese. Imagjinoni kur ka paturpësinë për ta bërë këtë para publikut, e mendoni çfarë mund të bëjë me një qytetar”, ka thënë Salianji.
Sipas tij nëse nuk plotësohen kërkesat e opozitës, vendi nuk do të ketë jetë parlamentare normale.
“Ne kemi thënë që s’do ketë seanca normale parlamentare nëse nuk plotësohen kërkesat tonë. Format që ne kemi zgjedhur të protestojmë kanë qenë të ndryshme. Këta dua të marrin pasuri, tendera, të bëjnë PPP dhe të mos kontrollohen, se po nuk folëm ne ata nuk shqetësohen. Shqipëria po lëngon dita ditës për largimin e njerëzve nga vendi. Dihet gjë sa është numri i shqiptarëve që jetojnë këtu? Jemi në kushtet që gjithçka kontrollohet.
Me gjithë instrumentet matëse të demokracisë, Shqipëria është në një autokraci, ku një njeri i vetëm kontrollon gjithë institucionet. Unë kam respekt për një pjesë të kolegëve që janë zgjedhur me votat e demokratëve”, ka vijuar Salianji me akuzat e tij ndaj qeverisë.
Por Salianji ka folur edhe për opozitën e Lulzim Bashës.
“Kur ka qenë Kuvendi për të folur, keni parë ju të vijë ky zotëri në Parlament? Basha po bën opozitë part-time”, u shpreh Salianji në intervistën e tij në News 24.
Lini një Përgjigje