Lëvizja Bashkë ka prezantuar një platformë të re politike, të cilën e cilëson si një hap konkret për adresimin e asaj që e quan “krizë legjitimiteti” dhe “kapje të shtetit” në Shqipëri. Platforma u paraqit në një takim me anëtarë dhe mbështetës të forcës politike dhe përfshin një sërë propozimesh në fushën e reformës institucionale dhe juridike.
Sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Bashkë, paketa synon ndërhyrje strukturore për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe për të kufizuar ndikimin e krimit të organizuar në politikë dhe ekonomi.
Në qendër të platformës qëndron propozimi për ndryshime ligjore dhe amendamente, përfshirë ndërhyrje në Kodin Penal. Lëvizja Bashkë propozon që dënimet për veprat penale të korrupsionit të ashpërsohen, duke parashikuar deri në 20 vjet burg për raste të caktuara.
Deputeti i kësaj force politike, Redi Muçi, deklaroi se nisma synon jo vetëm evidentimin e problematikave, por edhe ofrimin e zgjidhjeve konkrete.
“Skandalet korruptive që kanë kapur krerët e institucioneve dhe kreun e qeverisë dhe ajo që diskutohet shpesh në debate publike është nevoja e hartimit të një platforme për të dalë nga kriza. Ajo që po tentojmë të bëjmë ne është pikërisht parashtrimi i një platforme jo thjesht si konstatim i problematikë, por edhe si ndërhyrje strukturore, ndryshime ligjore për të arritur aty ku duhet”, u shpreh Muçi.
Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të shoqërohet me masa parandaluese dhe me ndërhyrje konkrete ligjore, duke përmendur nevojën për rishikim të dispozitave të Kodit Penal.
Në deklaratën e tij, Muçi shprehu gjithashtu një qëndrim kritik ndaj propozimeve për krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas tij, një bashkëqeverisje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, edhe nën petkun e një qeverie teknike, nuk do të sillte ndryshimin e kërkuar.
“Të thuash që përsëri kjo bashkëqeverisje do të sjellë zgjedhje të lira dhe të ndershme është një nonsens logjik”, deklaroi ai.
Mire e ke mo i nderuar po ketu. Mbi 90 % jane te korruptuar asnje nuk do donte nje ligj te forte korrupsionin ketu ka 35 vite qe vidhet e vazhdon te vidhet pa ndalur ne te gjitha menyrat e format