Në nisje të seancës, kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se Merita Bakiu ka njoftuar largimin nga grupi Parlamentar Aleanca për Ndryshim, me kryetar Fatmir Mediun, ndërsa po këtij grupi i është bashkuar Petrit Doda.
Merita Bakiu do të duhet të presë 6 muaj për t'u bërë pjesë e një grupi tjetër parlamentar, me gjasë atij të PD që do të ketë njëkohësisht kryetar grupi Lulzim Bashën.
Bakiu njihet si mbështetëse e tij, ndërsa është pjesë edhe e kryesisë së re të Lulzim Bashës.
Ndërkohë Parlamenti ka votuar paraditen e së enjtes shkarkimin e Delina Ibrahimajt nga detyra e ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Ibrahimaj është shkarkuar me 105 vota pro, dhe asnjë kundër e abstenim.
Po ashtu, gjatë kësaj seance është miratuar projektvendimi i Presidentit që emëron zonjën Ibrahimaj si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Në vend të Ibrahimajt, me 74 vota pro dhe 30 kundër është emëruar si ministër i Financave, Ervin Mete.
Pas votimit për Meten, Gazment Bardhi akuzoi Presidentin e Republikës se kishte dërguar në Parlament një dekret antikushtetues.
Lini një Përgjigje