Nëse prokurorët vërtet duan të godasin, atëherë shumë nga ata deputetë që janë sot në Parlament ta harrojnë rrugën e kandidimit...
Prokuroria e Posaçme ka futur në ankth politikën me aksionet e ditëve të fundit. Në kuadër të zbërthimit të mesazheve në “Sky Ecc”, u arrestua kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, teksa flitet se janë afro 14 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë që dalin te e njëjta dosje. Po ashtu, thuhet se në total janë mbi 150 njerëz të drejtësisë, që janë skeduar nga SPAK, pasi dalin te "Sky Ecc" duke u bërë favore njerëzve të krimit.
Sot pati një aksion tjetër dhe mes shumë emrave ishin një zv/drejtor burgu, ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu dhe një shef krimesh. Por këta janë maja e ajsbergut. Sipas informacioneve, ka shumë politikanë që kanë përdorur Sky Ecc dhe që madje përmenden te bisedat mes trafikantëve. Bëhet fjalë për ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, krerë bashkish, drejtorë të administratës dhe funksionarë të tjerë që kanë pasur llogari në Sky Ecc.
Pyetja është se kur do të shkojë SPAK te ata? Dhe a do të kenë guxim prokurorët? Fati i pushtetarëve është që jemi në prag të zgjedhjeve dhe çdo aksion tani do të rriste presionin ndaj SPAK se po vepron politikisht. Nëse prokurorët vërtet duan të godasin, atëherë shumë nga ata deputetë që janë sot në Parlament ta harrojnë rrugën e kandidimit në zgjedhjet e 2025. Por duket se dhe SPAK po vepron me strategji. Megjithatë të dhënat janë aty. Franca i ka zbërthyer të gjitha bisedat dhe kurdo që të vijë momenti, SPAK do vihet në lëvizje.
Kjo ka bërë që politika të jetë në ankth. Aktualisht shumë njerëz të politikës kanë filluar të shmangin çdo lloj komunikimi për qoka e afër në telefon. Të gjitha i bëjnë në takime private, ndërsa telefonat i përdorin vetëm për biseda shoqërore.
Frika e tyre është dhe sekuestroja që SPAK ka folur tu bëjë celularëve dhe të nxjerrë shumë gjëra prej tyre. Tani topi është në dorë të prokurorëve dhe e kanë ata në dorë nëse do të ngacmojnë folenë e grerëzave apo jo. /Pamfleti
Lini një Përgjigje