Kryeministri Edi Rama ka shpallur masa të reja të forta për kontrollin e territorit dhe disiplinimin e sektorit të ndërtimit, duke paralajmëruar krijimin e një liste të zezë për të gjithë shkelësit e ligjit në këtë fushë.
“Një tjetër masë është krijimi i një liste të zezë dhe ndalimi për të aplikuar për leje ndërtimi i shkelësve të lejeve të ndërtimit, jo vetëm i kompanive, por edhe i individëve. Në këtë listë do të përfshihen zhvilluesit, shoqëritë, administratorët, ortakët dhe pronarët përfitues që kanë shkelur ligjin. Ata do të përjashtohen nga marrja e lejeve për një periudhë 5-vjeçare,” deklaroi Rama.
Lista e zezë do të jetë publike dhe e aksesueshme nga të gjithë, ndërsa shkeljet nuk do të kufizohen vetëm në ndërtime pa leje, por edhe në ndryshime minimale të projekteve të miratuara.
“Edhe një ndryshim i thjeshtë në fasadë, i bërë pa autorizim, përbën shkelje që ndëshkohet me gjobë dhe fut menjëherë subjektin në listën e zezë,” theksoi kreu i qeverisë.
Një penalitet i rëndësishëm prek edhe arkitektët, nëse ata përfshihen në shkelje, u hiqet licenca për pesë vite dhe u ndalohet ushtrimi i profesionit.
Rama paralajmëron ndalimin e ndryshimeve të paautorizuara të aktivitetit në objekte, duke theksuar se çdo biznes duhet të operojë me leje të posaçme dhe pa cënuar jetesën e komunitetit përreth.
Që do të thotë se biznese që shkaktojnë zhurma dhe shqetësojnë banorët, nuk do vendosen në pallatet me apartamente banimi.
“Nga ana tjetër, kemi marrë një tjetër masë, dhe këto janë të gjitha masa në fuqi, që është ndalimi i ndryshimit të një aktiviteti të një objekti, pa marrë lejen përkatëse.
Janë të panumërta shembujt e familjeve që kanë një furrë buke dhe dhoma e gjumit u bie mbi furrë në katin poshtë, ose kanë një zdrukthëtari që sharron me sharrë, por nuk është fare i presupozuar ta zhvillojë aktivitetin aty ku ka një komunitet familjesh dhe apartamentesh. Është e mundur të ketë aktivitete të caktuara, por e para, duhen me leje dhe, e dyta, të jenë pjesë e një kategorie të caktuar që nuk trondit dhe shqetëson gjithë të tjerët.”, tha Rama.
Lini një Përgjigje