Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesat e paraqitura nga grupet parlamentare të PD dhe PL-së për ngritjen e Komisioneve Hetimore.
Opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore”, si dhe për kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Të dy kërkesat janë rrëzuar nga mazhoranca me argumentin se për çështjet që kërkohet ngritja e Komisioneve Hetimore, po kryen hetime nga institucionet e drejtësisë.
Kjo solli reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, sipas të cilit, argumenti se kontratat janë subjekt i drejtësisë dhe se nuk mund të ketë komision hetimor nuk qëndron.
“Gjykata Kushtetuese, në një vendim të saj të vitit 2014, shprehet se fakti që organet e tjera kushtetuese përmbushin detyrat e veta nuk mund të shërbejë kurrsesi si argument për të refuzuar ushtrimin e detyrave nga Parlamenti.
Ne nuk po kërkojmë të bëjmë punën e prokurorisë, por të verifikojmë kontratat, të konstatojmë problematika, qoftë edhe për mënyrën se si funksionojnë institucionet, dhe të bëjmë propozime ligjore.
Dhe e përsëris, ju e keni detyrim kushtetues ngritjen e komisioneve hetimore. E vetmja çështje ku ju mund të pretendoni është objekti, formulimi i objektit. Ne jemi të hapur për propozimin tuaj në lidhje me objektin, nëse keni. Por nuk dëgjova që ju keni një formulim alternativ”, tha Bardhi.
Në vijim, kreu i Grupit të PD-së, tha se nuk quhet parlamentarizëm kur kërkesat e opozitës rrëzohet nga urrejtja politike.
“Nëse kërkesat e opozitës rrëzohen nga urrejtja politike, ky nuk është parlamentarizëm. Prandaj po ju pyes, kryetar, cili është roli i deputetëve, kur ju nuk pranoni as komisione hetimore, as interpelanca, as mocione me debat, as amendamente, as ligje?
Cili është roli i opozitës? T’ju bëjë fresk juve?
Na thoni cili është roli ynë. Sepse na thoni “hajde të bashkëpunojmë” dhe “të jemi konstruktivë”, por kur ne e bëjmë këtë, ju rrëzoni gjithçka.
Ju, kryetar, jeni garant për funksionimin e Kuvendit. Na keni lexuar një fjalim që na ka prekur, ndërsa sot nuk gjej asnjë çështje që ju, si kryetar, e keni mbrojtur për opozitën”, tha Bardhi
Lini një Përgjigje