TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Janar 2026, 20:23

“Kapja e shtetit rrezikon stabilitetin transatlantik”, krimi dhe pastrimi i parave në Shqipëri shqetësojnë Kongresin e SHBA!

Shkruar nga Pamfleti
“Kapja e shtetit rrezikon stabilitetin transatlantik”, krimi dhe
Kongresi amerikan

Eksperti Edward Joseph flet për pastrimin e parave, krimin e organizuar dhe destabilizimin e rajonit

Në një ndër momentet më të ndjeshme për raportet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare, Kongresi Amerikan ka kërkuar opinione dhe analiza shtesë nga eksperti i njohur i politikës së jashtme dhe i çështjeve të Ballkanit, Edward P. Joseph.

Pyetjet vijnë pas një seance dëgjimore në Komisionin për Punët e Jashtme të Kongresit, ku u trajtuan problematika serioze që lidhen me zgjedhjet, drejtësinë dhe qeverisjen në Shqipëri.

Në përgjigje të pyetjes se si duhet të reagojë bashkësia ndërkombëtare ndaj faktit që Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë si një qendër për trafikim dhe pastrim parash, Joseph u shpreh se “trafikimi dhe pastrimi i parave përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat e SHBA-së dhe NATO-s dhe pasqyrojnë një patologji më të thellë brenda sistemit të qeverisjes së Shqipërisë”. Ai theksoi se “bashkimi i interesave të partisë në pushtet, institucioneve shtetërore dhe krimit të organizuar qëndron në zemër të kësaj sfide”.

Sipas tij, krimi i organizuar nuk është më një faktor i jashtëm që e rrezikon sistemin politik shqiptar, por pjesë aktive e tij. “Siç dokumentohet nga raportimi investigativ dhe përcaktimet e OFAC-së, krimi i organizuar në Shqipëri ka depërtuar në strukturat politike dhe ka lehtësuar manipulimin zgjedhor. Lejimi i kësaj qendre të vazhdojë rrezikon destabilizim të mëtejshëm në të gjithë Evropën dhe hapësirën transatlantike”, shtoi Joseph.

Në këtë kontekst, ai rekomandoi disa masa konkrete për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Bashkimin Evropian. Së pari, ai kërkoi “kushtëzim të qartë të marrëdhënieve dypalëshe me përparim të dukshëm në sundimin e ligjit”, duke theksuar se komunikimi diplomatik duhet të jetë i hapur dhe i prerë. Më tej, ai tha se “OFAC duhet të marrë në konsideratë përcaktimet e aktorëve politikë që bashkëpunojnë me krimin e organizuar”, duke i referuar mundësisë për sanksione të synuara.

Në mënyrë të veçantë, Joseph nënvizoi nevojën për mbështetje të palëkundur ndaj strukturave të drejtësisë si SPAK, duke theksuar se “SHBA-ja dhe BE-ja duhet të mbështesin SPAK-un, duke këmbëngulur në zbatimin e paanshëm të ligjit”. Ai kërkoi gjithashtu që të dekurajohen investimet në sektorë me rrezik të lartë, të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave, si dhe të intensifikohet bashkëpunimi rajonal, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Në një pyetje tjetër, që lidhej drejtpërdrejt me çështjen e sigurisë rajonale, Joseph theksoi se “Raportimi i Departamentit të Shtetit tashmë pasqyron ndërgjegjësimin për rreziqet e sigurisë që paraqet roli i Shqipërisë si një qendër kriminale”. Sipas tij, flukset financiare të paligjshme jo vetëm që dëmtojnë stabilitetin rajonal, por “lehtësojnë ndikimin keqdashës dhe kompromentojnë krahun juglindor të NATO-s”. Ai shtoi se sfida tani është përkthimi i këtij ndërgjegjësimi në veprime konkrete politike.

I pyetur nëse zyrtarë amerikanë kanë ndikuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, eksperti u përgjigj prerazi: “Ky dëshmitar nuk ka informacion që sugjeron ndonjë ndikim të papërshtatshëm nga zyrtarët amerikanë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Një sjellje e tillë do të ishte shumë e pazakontë dhe e papërshtatshme”.

Megjithatë, ai shtoi se shqetësimi më i madh është qasja e pabalancuar ndërkombëtare, ku sipas tij “Prishtina mbahet më shumë përgjegjëse, ndërsa Beogradit i jepet liri veprimi”. Kjo qasje, sipas Joseph, ka kontribuar në rritjen e tensioneve, përfshirë incidentet në Banjska dhe Zveçan, ku është rrezikuar edhe siguria e trupave të KFOR-it.

Në përfundim të analizës së tij, Joseph vlerësoi se Shqipëria po i afrohet një pike kthese. “Me shumë zyrtarë të lartë nën aktakuzë ose në paraburgim, kriza e qeverisjes së Shqipërisë ka hyrë në një fazë kritike. Progresi i vazhdueshëm drejt anëtarësimit në BE duhet të shoqërohet me një reformë të vërtetë të sundimit të ligjit. Llogaridhënia duhet të forcohet dhe angazhimi ndërkombëtar, veçanërisht presioni i koordinuar SHBA-BE, do të jetë vendimtar”, përfundoi Joseph. /Pamfleti

Lini një Përgjigje