Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi gjatë mbledhjes së Komisionit të Etikës ka thënë se PS do të fshijë opozitën nga Kuvendi me kërkesën për përjashtimin e 29 deputetëve demokratë.
“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.
Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend një partiak.
Thojeni këtu, qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9.
Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat”, tha Bardhi.
Komisioni i Etikës është mbledhur të premten për të shqyrtuar kërkesat e paraqitura nga Partia Socialiste që kërkon marrjen e masave disiplinore ndaj 29 deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me përplasjet e shënuara një ditë më parë në Kuvend.
Të pranishëm janë të gjithë deputetët demokratë për të cilët kërkohet përjashtimi.
PS ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa deputeti i PD, Saimir Korreshi ka kërkuar që mbledhja të jetë e hapur për mediat.
“Do të duhet që mbledhja të jetë e hapur. Po kërkoni të përjashtoni 29 deputetë të opozitës pa të drejtë. Kërkoj që të na vini në dispozicion provat dhe që ato të jenë publike.”, është shprehur Korreshi.
Lini një Përgjigje