Të premten, Kuvendi do të zhvillojë një nga mbledhjet më të rëndësishme të muajve të fundit, ku Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Burime zyrtare konfirmojnë se deputetët e opozitës do të marrin pjesë normalisht në këtë mbledhje, pavarësisht masave disiplinore të kërkuara ndaj tyre.
Një orë më parë pritet të mblidhet edhe Sekretariati i Etikës, ku shumica socialiste ka kërkuar dënimin e 29 deputetëve të opozitës pas tensioneve të krijuara në seancën plenare të së enjtes. Por pezullimet eventuale nga Etika nuk kanë fuqi për të ndaluar pjesëmarrjen e tyre në Këshillin e Mandateve, pasi ato vlejnë vetëm për seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve.
Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit do të paraqiten edhe përfaqësues të SPAK, përfshirë prokurorin e çështjes Dritan Prençi, prokuroren Dorina Bejko dhe kreun e ri të SPAK, Klodian Braho, i cili do të ketë përballjen e parë institucionale në detyrë.
Ndaj Belinda Ballukut është vendosur tashmë masa e ndalimit për dalje jashtë shtetit, ndërsa Gjykata e Posaçme ende nuk ka vendosur për pezullimin nga detyra, pasi pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi ankimimin e paraqitur nga kryeministri Rama, i cili do të shqyrtohet më 22 janar.
Lini një Përgjigje