TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Mars 2025, 14:48

Kandidatët, 4 orë diskutime me drejtuesit e qarqeve; Rama vulos listat e sigurta, ç’pritet në orët në vijim

Shkruar nga Pamfleti

Kandidatët, 4 orë diskutime me drejtuesit e qarqeve; Rama vulos listat

Në Tiranë lista e sigurtë pothuajse është ezauruar, ndërkohë që mbetet për tu parë nëse Spiropali dhe Manastirliu do të kandidojnë në listën e sigurtë si drejtuese qarku, apo do të bëhen pjesë e listës së hapur

Pas pothuajse 4 orësh, duket se Kryeministri Edi Rama ka vulosur kandidatët për deputetë të PS-së në 7 qarqe, ndërsa në orët e pasdites pritet të mbyllet gjithçka edhe për Tiranës, Elbasanin, Fierin, Beratin e Kukësin.

Gjatë paradites së sotme, Edi Rama me cilësinë e kreut të PS-së është takuar në takime të veçanta me drejtuesit politikë të 7 qarqeve, duke e nisur me Blendi Klosin, që njeherazi mban edhe funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së dhe drejton fushatën e socialistëve në Qarkun e Dibrës. Risia në këtë qark është kandidimi i Agron Malajt, që heq dorë nga funksioni i Kryebashkiakut, nëse në listën përfundimtare të PS-së do të jetë një nga kandidatët për deputet.

Pas Dibrës, Rama ka diskutuar me Mirela Kumbaron, drejtuesen politike të Gjirokastrës, atje ku sërish risi mbetet kandidimi për deputet i Tërmet Peçit, kryebashkiakut të Tepelenës, dhe Edjon Maliqi, një prej emrave të rinj në rradhët e PS-së.

 Pas Gjirokastrës, kryeministri ka pritur Ulsi Manjën, drejtuesin politik të Lezhës, ku një nga emrat e propozuar si kandidat për deputet është ai Ermal Pacaj i cili pak ditë më parë u lirua nga posti i drejtorit të Shërbimit të provës. Pacaj pritet të jetë në atë që konsiderohet si lista e mbyllur, ose e sigurtë, çka do të thotë se do të jetë një nga 3 emrat e parë në listën shumëemërore. Gjithashtu një risi për Lezhën është emri i Pranvera Skana, që gjithashtu pritet të garojë në listën e sigurtë të këtij qarku.

Më pas ishte rradha e Durrësit, atje ku fushatën e socialistëve e drejton Emirjana Sako, për të vijuar me Benet Becin e Shkodrës, ku në listat e kandidatëve do të përfshihen Onid Bejleri, Majlinda Angoni. Të tre do të jenë në atë që konsiderohet si lista e mbyllur ose e sigurtë.

Bledi Çuçi, që drejton fushatën e socialistëve të Vlorës, ka paraqitur pas Shkodrës propozimet e kandidatëve për deputetë. Në këtë listë janë edhe ministrat Pirro Vëngu dhe Anila Denaj, por edhe deputeti aktual Vullnet Sina. Të tre pritet të jenë në listën e sigurtë. Madje si kandidat është propozuar edhe Ardit Bido dhe prefekti aktual i Vlorës, Plator Nesturi. Të gjithë këta emra besohet se nëse kandidohen do të jenë në listën e sigurtë.

Niko Peleshi, drejtues politik i qarkut të Korçës, ka vijuar me propozimet, duke ripërshirë në listë 3 nga deputetët aktualë, ndërsa është rikthyer si kandidat Bledi Çomo, i cili edhe në 2021 kandidoi për PS-në por pa mundur të marrë mandat deputeti.

Në orët e pasdites Kryeministri, njëherazi edhe kreu i PS-së, pritet të vijojë takimet me drejtuesit e 5 qarqeve të mbetura, por që duket se janë edhe më kryesorët. Bëhet fjalë për Tiranën, Fierin, Elbasanin e Beratin, që pothuajse përbëjnë 50% të mandateve në nivel kombëtar, por edhe Kukësin.

Në Fier drejtuese qarku është Belinda Balluku, ndërsa pritet që lista të ketë surpriza të shumta. Në Tiranë dy bashkëdrejtueset që do të takohen me Ramën janë Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu.

Në Tiranë lista e sigurtë pothuajse është ezauruar, ndërkohë që mbetet për tu parë nëse Spiropali dhe Manastirliu do të kandidojnë në listën e sigurtë si drejtuese qarku, apo do të bëhen pjesë e listës së hapur, për shkak se kanë dy e më shumë mandate si deputetë. Në Tiranë pritet të kandidojnë në listën e sigurtë ministrat Ervin Hoxha, Igli Hasani, Blendi Gonxhe, Adea Pirdeni, Petrit Malaj.

Ervin Demo, drejtues politik i qarkut të Beratit, dhe Arbjan Mazniku, drejtues politik i qarkut të Elbasanit, do të përmbyllin takimet dhe konsultimet e kreut socialist me drejtuesit e Qarqeve.

Demo pritet të heqë dorë nga detyra e Kryebashkiakut, bashkë me kolegen e tij të Dimalit, për tiu bashkuar listës së kandidatëve për deputet. Ndërsa në listën e Elbasanit, Arbjan Mazniku nuk është i vetmi ministër që kandidon, pasi në listë janë edhe Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje