TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Mars 2025, 13:20

Lista e PS për 11 majin, emrat surprizë në listën preferenciale të Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Lista e PS për 11 majin, emrat surprizë në listën

Zbardhen të tjera detaje lidhur me listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa kryeministri Edi Rama vijon takimet kokë më kokë me drejtuesit e qarqeve.

Lista përfundimtare e socialistëve, ashtu si edhe e partive apo koalicioneve të tjera që do të marrin jesë në zgjedhjet e 11 majit, duhet të depozitohen në KQZ brenda datës 12 mars.

Nga socialistët ajo që dihet me siguri deri më tani është se të gjithë ata deputetë që do të kenë dy e më shumë mandate do të garojnë në listë të hapur, përfshi këtu edhe Kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë që një pjesë jo e vogël e grupit actual parlamentar të PS-së pritet të rinovohet, në listën e sigurtë të PS-së, pra në 1/3 e saj do të vendosen drejtuesit politikë sipas qarqeve dhe ministrat.

Po kështu në këtë pjesë të sigurtë të listës do të jenë emrat e rinj apo propozimet nga Diaspora.

Por cilët janë disa nga emrat surprizë në listën e socialistëve që janë propozuar nga drejtuesit e qarqeve në takimin me Ramën?

Në Qarkun e Korçës është propozuar si kandidat Bledi Çomo, që në 2021 garonte në zonën e Pogradecit, por pa mundur të marrë mandatin e deputetit. Ndërkohë që duket se ka një rikonfirmim për Ilir Pendavinjin dhe Ilir Topin.

Në Shkodër pritet të garojnë Onid Bejleri, Majlinda Angoni, si dhe deputeti aktual Frrok Gjini, që duket se është rikonfirmuar.

Në Vlorë do të rikandidohet Vullnet Sinaj, në krah të Bledi Çuçit, Anila Denajt dhe Pirro Vëngut. Dhe po kështu po në Vlorë është propozuar si kandidat i mundshëm Plator Nesturi, që së fundmi është emëruar edhe si Prefekt në këtë Qark. Një tjetër emër suprizë është ai i Ardit Bidos, që mban funksionin e Drejtorit të Arkivit Qendror.

Në Gjirokastër përveç Mirela Kumbaros pritet të kandidohen edhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi dhe Edjon Maliqi, koordinator i Rinisë për Kuvendin Rinor Socialist të Qarkut të Gjirokastrës.

Në Lezhë si prurje e re mund të konsiderohen Pranvera Skana dhe Ermal Pacaj. Ky i fundit pak ditë më parë u lirua nga posti i drejtorit të Shërbimit të provës.

 

Lini një Përgjigje