TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Mars 2025, 11:26

11 maji, Rama-Berisha-Basha përballja e parë ‘kokë më kokë’ elektorale; kush do fitojë nga vota preferenciale

Shkruar nga Pamfleti

11 maji, Rama-Berisha-Basha përballja e parë ‘kokë më

Fakti që si Berisha ashtu edhe Rama do të jenë në listën e deputetëve të Qarkut Tiranë mund të përbëjë betejën e parë, ndoshta edhe të vetmen, që të dy politikanët do të kenë ‘kokë më kokë’.

Sali Berisha dhe Edi Rama për herë të parë do të kenë një përballje kokë më kokë në një process elektoral. Berisha, kryetar i PD-së, konsiderohet si një nga dinozaurët e politikës shqiptare në 35 vjet, duke dominuar pa asnjë rivalitet atë që konsiderohet si e djathta në Shqipëri, ndërsa Edi Rama nga viti 2005 dominon të majtën, pothuajse duke ecur në gjurmët e Berishës, pasi eleminoi, spostoi apo nxorri jashtë loje, shumë nga ato që konsideroheshin si pesha të rënda politike në Partinë Socialiste. Qoftë Berisha ashtu edhe Rama mbretërojnë në habitatet e tyre, duke ruajtur me fanatizëm pozicionet, kontrollin dhe zhbërë çdo garë apo mekanizëm që mund t’i rrezikonte kontrollin absolut.

Por të dy politikanët, njëri i angazhuar prej 1990 dhe tjetri nga 1998 në politikën aktive, kurrë nuk kanë pasur asnjë përballje ‘kokë më kokë’, pavarësisht garave elektorale. Madje pavarësisht jetëgjatësisë në politikë, nuk ka asnjë debat mes Berishës dhe Ramës, përtej atyre që janë zhvilluar deri në 2021 në sallën e Kuvendit, ku Rama shfaqej si Kryeministër, ndërsa Berisha si deputeti që kontrollonte në qelizë PD-në, që në atë kohë kishte si kryetar Lulzim Bashën.

Për herë të parë në 11 maj në listën e kandidatëve, në të njëjtin qark, do të jenë si Sali Berisha ashtu edhe Edi Rama. Berisha me shumë gjasë do të kryesohej listën e deputetëve të një koalicioni partish, ose në rastin më të keq, do të jetë mes 3 emrave të parë.

Rama në listën e PS-së pritet të renditet ose në kufirin e mandateve që konsiderohen të sigurta, ose do të jetë në listë të hapur, duke zbatuar kështu një udhëzim që vetë e ka nxjerrë pë rata ligjvënës që kanë më shumë se dy mandate deputetësh.

Fakti që si Berisha ashtu edhe Rama do të jenë në listën e deputetëve të Qarkut Tiranë mund të përbëjë betejën e parë, ndoshta edhe të vetmen, që të dy politikanët do të kenë ‘kokë më kokë’. Dhe kjo mund të jetë testi i vërtetë përmes votës preferenciale, pra sa votues do të zgjedhin duke vendosur shenjën ‘X’ ose ‘+’ në krah të emrit të Berishës apo Ramës. Ky i fundit kishte paralajmëruar se do të kandidonte në Qarkun e Shkodrës, por pas arrestimit të Kryebashkiakut Erion Veliaj, njoftoi zhvendosjen drejt Tiranës, duke paralajmëruar se do të udhëhiqte fushatën që do t’I garantonte socialistëve numrin më të lartë të mandateve që kanë fituar në këtë qark.

Por përtej Ramës dhe Berishës në listën e Tiranës do të jetë edhe Lulzim Basha, duke krijuar në këtë mënyrë një mozaik, që mund të ishte edhe më i bukur nëse Ilir Meta nuk do të garonte në listën e mbyllur të Fierit, por do të ishte në atë të Tiranës.

Basha e Rama kanë pasur përballjen e tyre në 2011, ku në një proces me shumë pikëpyetje, ndërhyrje, kulisa, kryeministri aktual humbi bashkinë e Tiranës me 11 vota, që u nxorën nga ‘kutia e gabuar’ ku ishin hedhur në zgjedhjet lokale të 14 viteve më parë.

Ndërkohë në 11 maj përballja Rama-Berisha-Basha, referuar votës preferenciale për secalin, mund të përbëjë një betejë më vete mes politikanëve, dy prej të cilëve rrezikojnë të përmbyllin karrierën politike në varësi të rezultatit.

Në 2021, Lulzim Basha në atë kohë kryetar i PD-së mblidhte në Qarkun Tiranë rreth 16 mijë vota preferenciale, duke u renditur 3 deputetët më të votuar nga PS e PD në rang kombëtar. Ndërkohë Edi Rama mblodhi 15871 vota preferenciale në Qarkun e Durrësit, që numëron shumë më pak votues se Tirana, ndërsa Sali Berisha mblodhi mbi 6700 vota preferenciale në Tiranë, disafish më pak se Basha e Rama.

Tashmë në 11 maj është një mundësi për të parë jo thjesht se kush do të qeverisë vendin në 4 vitet e ardhshme, sa e fortë do të jetë mazhoranca e re, por edhe për t’u njohur me një detaj: kush nga politikanët do të jetë më i preferuari i shqiptarëve në përballjen ‘kokë më kokë’.  /Pamfleti/

   

Lini një Përgjigje