TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Qershor 2026, 18:38

"Jo vetëm burg"/ Protestuesit kërkojnë konfiskimin e pasurive të Ramës dhe Berishës!

Shkruar nga Pamfleti
"Jo vetëm burg"/ Protestuesit kërkojnë konfiskimin e
Pankartat në protestë

Konfiskimi i pasurive të Edi Ramës dhe Sali Berishës, është një nga kërkesat më të forta që u artikulua në nisje të protestës së sotme në Tiranë.

Mes thirrjeve për burgosjen e tyre, pjesëmarrësit kërkuan që pasuritë e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, t’i nënshtrohen konfiskimit dhe t’i rikthehen shtetit.

“Ne nuk duam vetëm burgun, por edhe konfiskimin e pasurive, konfiskim të vërtetë. Ne duam konfiskimin e pasurisë që i përket popullit shqiptar”, deklaroi një nga organizatorët para turmës së mbledhur në qendër të kryeqytetit.

Mijëra qytetarë u mblodhën në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, duke shënuar ditën e shtatë të protestave të organizuara kundër qeverisë dhe në mbështetje të kauzës së Zvërnecit. Në tubim morën pjesë të rinj, të moshuar, familjarë me fëmijë, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit.

Përgjatë protestës nuk munguan thirrjet kundër klasës politike. “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Berisha në burg, Rama në burg”, “Qeveria e krimit”, “Dorëheqje, dorëheqje” dhe “Edi Rama ka mbaru” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan në bulevard.

Organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të ruanin karakterin paqësor të protestës dhe të shmangnin çdo akt dhune. Gjithashtu u kërkua kujdes në përdorimin e flakadanëve dhe tymueseve për shkak të rrezikut që ato mund të paraqesin për shëndetin e pjesëmarrësve.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, duke mbushur bulevardin me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë. Atmosfera mbeti e tensionuar, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan largimin e qeverisë dhe ndryshim të kursit politik në vend.

Mes thirrjeve u dëgjuan edhe slogane si “Poshtë komunizmi!” dhe “Poshtë diktatura!”, ndërsa organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim.

pankartat në protestë rama ne burg berisha ne burg

1 Komente

  1. M
    M

    Konfiskimi i gjithe pasurive eshte gjeja me e drejte . Le te mos bejne as burg por te vjellin ato qe kane gelltitur.

    Lini një Përgjigje