Pjesëmarrje masive në ditën e shtatë të protestave. Tubimi ka marrë karakter të hapur politik, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë…
Mijëra qytetarë janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë në atë që konsiderohet protesta më e madhe që nga nisja e mobilizimit qytetar një javë më parë. Bulevardi është mbushur me protestues të ardhur nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa thirrjet kundër qeverisë dominojnë atmosferën e tubimit.
“Edi Rama ka mbaruar”, “Dorëheqje”, “Rama ik” dhe “Atdheu nuk shitet” janë disa nga sloganet që dëgjohen vazhdimisht nga turma e mbledhur përballë selisë së qeverisë. Në duart e protestuesve shihen qindra pankarta, ku krahas kritikave ndaj kryeministrit nuk mungojnë as mesazhet kundër figurave të tjera politike, përfshirë sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protesta e sotme dëshmon se lëvizja ka kaluar përtej kundërshtimit të projektit në Zvërnec. Qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë e konsiderojnë tubimin si një reagim ndaj mënyrës së qeverisjes, vendimmarrjes pa konsultim publik dhe asaj që ata e cilësojnë si shpërfillje të interesave të qytetarëve.
Organizatorët kujtojnë se protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa, ku kryesorja mbetet largimi i qeverisë së Edi Ramës. Sipas tyre, zemërimi qytetar që shpërtheu fillimisht për Zvërnecin është kthyer tashmë në një kërkesë të qartë për ndryshim politik.
Ndërsa pjesëmarrja vijon të rritet nga ora në orë, protesta e ditës së shtatë po shënon kulmin e një jave mobilizimi që ka nxjerrë në rrugë mijëra qytetarë në Shqipëri dhe ka gjetur mbështetje edhe te diaspora shqiptare në shumë vende të Europës.
Bravo shqiptare! Kurre nuk mund dhe duhet ta pranojme kete situate. Tek pikat qe kerkohen, nje duhet te jete bllokim i gjithe lejeve te ndertimit te dhena. Na asfiksoi betoni. Duhet te zhduket sa nuk eshte vone. Sa me shume e zgjat me keq do jete per te.
BRAVO ????????????????????????