TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Qershor 2026, 17:43

Nga Londra, në Vjenë, Mynih, Milano e Uashington, revolta kundër Ramës kapërcen kufijtë

Shkruar nga Pamfleti
Nga Londra, në Vjenë, Mynih, Milano e Uashington, revolta kundër
Revolta kundër Ramës kapërcen kufijtë

Nga Tirana në kryeqytetet evropiane, shqiptarët kërkojnë largimin e Edi Ramës. Thirrjet kundër qeverisë shoqërohen edhe me mesazhe kundër gjithë klasës politike.

Revolta e nisur në Shqipëri kundër projektit në Zvërnec po shndërrohet në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës, duke kapërcyer tashmë edhe kufijtë e vendit. Nga Tirana deri në Londër, Vjenë, Milano, Berlin, Mynih, Uashington dhe Stokholm, qindra shqiptarë të diasporës kanë dalë në rrugë për të mbështetur protestat dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes në Shqipëri.

Një nga protestat më të forta është zhvilluar në Vjenë, ku shqiptarë të shumtë u mblodhën në qendër të kryeqytetit austriak me thirrje të drejtpërdrejta për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk munguan as kërkesat për hetimin dhe arrestimin e tij.

Tubime të ngjashme janë organizuar edhe në disa prej qyteteve më të mëdha evropiane, duke treguar se pakënaqësia e lindur nga kauza e Zvërnecit po merr përmasa shumë më të gjera politike. Ndërkohë që protestat në Tiranë vijojnë prej ditësh, diaspora shqiptare po kthehet në një zë të fortë mbështetës të revoltës qytetare.

Në Londër, qindra emigrantë shqiptarë mbushën sheshet me flamuj kuqezi dhe pankarta kundër qeverisë shqiptare. Protestuesit kërkuan anulimin e projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, por mesazhet e tyre shkuan përtej kësaj çështjeje. Në pankarta dhe thirrje dominoi kërkesa për largimin e Edi Ramës, ndërsa nuk munguan as sloganet kundër figurave të tjera politike, me mesazhe si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria nuk shitet”.

Edhe në Itali, qindra shqiptarë dolën në protestë në mbështetje të demonstratave që po zhvillohen në Shqipëri. Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbolin e flamingos, tashmë i kthyer në simbol të rezistencës kundër projektit në Nartë dhe Zvërnec, protestuesit marshuan duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Shqiptarë të shumtë janë mbledhur përpara godinës së Ambasadës Shqiptare në Uashington DC, duke iu bashkuar organizimeve të ngjashme që po ndodhin në shumë qytete dhe kryeqytete të Evropës. Me thirrje të forta kundër ekzekutivit, shqiptarët e mbledhur në kryeqytetin amerikan kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.

Pjesëmarrësit në protestat e diasporës theksuan se lëvizja nuk ka më vetëm karakter lokal apo ambiental, por po shndërrohet në një reagim të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe klasës politike në vend. Sipas tyre, zemërimi qytetar që shpërtheu fillimisht në Zvërnec po bashkon shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, duke krijuar një front proteste që po shtrihet në të gjithë Evropën.

protesta rama

2 Komente

  1. V
    VM

    Pamfleti, po me zhgenjeni! Gjuha e shkrimit ngjan si raportimi i nje korenspondenti neutal i nje shteti te larget. Me takt, duke i renduar 'Flamingos', shmanget info reale: revolta ndaj gjithe sistemit!

    1. Z
      Zherzhi

      Çudi se brenda 800-s ky i gjati fuste edhe votat è diaspores. Edhe diaspora i beri "torten e gjyshes" me duket. Edhe ju mos shkruani kot pa pyetur nje here taulantin dhe dramen.... . Keta qe protestojne jashte te kujt jane mo.... mos jane te sherbimeve sekrete te burundit osé kilimanxharos......

      Lini një Përgjigje