
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se me angazhimin e shumicës dhe të opozitës, synimi është që kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian të mbyllen deri në Krishtlindjet e vitit 2027, ndërsa viti 2028 të shënojë fillimin e procesit të ratifikimit në vendet anëtare të BE-së.
Gjatë seancës parlamentare, Balla theksoi se mazhoranca është e gatshme të shtyjë përpara edhe reforma të tjera kyçe, përfshirë reformën zgjedhore, të cilën sipas tij duhet ta nisin pa vonesë.
Më tej, Balla tha se Shqipëria mund të jetë gati të dërgojë eurodeputetët e saj të parë në Parlamentin Evropian në legjislaturën 2029–2034.
Ai gjithashtu ka folur edhe për komisionet, teksa tha se opozita ka rolin e saj dhe sipas tij, është jetike që opozita të vijë në Kuvend dhe të drejtojë komisionin e arsimit, shëndetësisë, dhe atë të të drejtave të njeriut.
"Mazhoranca do të propozojë në Kuvend edhe reformën zgjedhore që duhet ta fillojmë menjëherë. Kemi ardhur me propozim ku puna në Komisione të reflektojë kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në BE. Edhe opozita ka rolin e vet të pazëvendësueshëm.
Nuk i kemi marrë asnjë komision opozitës por i kemi shtuar më shumë fusha jetike dhe përgjegjësi. Është jetike që opozita të vijë në Kuvend dhe të drejtojë komisionin e arsimit, shëndetësisë, dhe atë të të drejtave të njeriut. Nuk e kemi shkrirë komisionin e Integrimit, por punët e jashtme i kemi bërë bashkë te punët për Europën.
Me angazhimin e kësaj shumicë dhe të kësaj pakice shpresoj që ti mbyllim kapitujt brenda krishtlindjeve 2027 dhe në 2028 të gjithë së bashku të majtë dhe të djathtë të shkojmë në vendet e BE për të përmbyllur procesin e ratifikimit dhe këtu të bëjmë detyrat.
Kjo mazhorancë do të propozojë edhe çështje të tjera përfshirë edhe reformën zgjedhore që duhet ta fillojmë menjëherë. Ndër shumë detyra shpie kemi edhe parashikimin në kodin zgjedhor të mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Parlamentit Evropian.
Nëse ecim me këtë ritëm ne mund të jemi gati për të çuar eurodeputetët e para në legjislaturën e re te BE 2029-2034", tha Balla.
Lini një Përgjigje