TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Mars 2026, 16:55

Incidentet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e Balliut dhe Bardhit nga seancat

Shkruar nga Pamfleti
Incidentet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e Balliut dhe
Incidentet në seancë mes Klevis Balliut dhe Taulant Ballës

Një ditë pas incidenteve që ndodhën në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetë të PD-së reaguan ashpër pas fyerjeve të Taulant Ballës në drejtim të Albana Vokshit, Grupi Parlamentar socialist kërkon masa ndëshkuese për dy ligjëvënësit demokratë, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.

Në një kërkesë zyrtare drejtuar Kryeparlamentarit Niko Peleshi, Grupi i PS-së, kërkon që Bardhi të përjashtohet 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Balliu për 30 ditë.

Dy demokratët, sipas socialistëve, kanë penguar zhvillimin e punimeve të Parlamentit, duke bllokuar foltoren dhe duke përdorur gjuhë të papërshtatshme.

Për socialistët, deputetët demokratë me ndërhyrjet e tyre të vazhdueshme, duke i ndërprerë disa herë fjalën Kreut të Grupit Parlamentar socialist, nuk pritën as ndërhyrjen e drejtuesit të seancës, që sipas rregullores, është autoriteti i vetëm që interpreton procedurën parlamentare, kanë konsumuar shkeljen e kësaj rregulloreje.

Sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PS-së, Gazment Bardhi ka përdorur fjalë fyese dhe kërcënuese, ndërsa Klevis Balliu akuzohet për sjellje agresive dhe dëmtim të pajisjeve në sallë, përfshirë mikrofonin dhe sistemin e votimit.

Bazuar në këto pretendime, duke shfrytëzuar edhe pamjet filmike, socialistët kërkojnë:

-Përjashtimin e Gazment Bardhit nga komisionet dhe seancat plenare për 10 ditë, për pengim të zhvillimit të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese;

-Përjashtimin e Klevis Balliut për 30 ditë, duke argumentuar se ai ka shfaqur sjellje agresive dhe ka dëmtuar pajisjet e sallës së Kuvendit.

Gjithashtu, Partia Demokratike kishte kërkuar përjashtimin nga Kuvendi për 60 ditë të deputetit socialist Taulant Balla, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës së papranueshme ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi.

balla balliu bardhi

Lini një Përgjigje